Bordi i Mbikëqyrjes Publike njoftoi se në kuadër të reformës së mbështetur nga Banka Botërore për forcimin dhe përmirësimin e rregullimit dhe mbikqyrjes së funksionimit të profesionistëve, kontabilistë të miratur dhe auditues ligjorë, si dhe organizatave të tyre profesionale ka nisur procesin e verifikimit të zbatimit të dispozitave ligjore për çdo subjekt mbajtës të titullit Kontabilist i Miratuar, Aktiv (KMA) dhe Jo-Aktiv (KMJ) për të garantuar interesin publik mbi shërbimet dhe aktivitetin e KM.
Konsideruar që Kontabilistet e Miratuar përmes shërbimeve të tyrë luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë, zbatimi i dispozitave ligjore që kanë për fokus kryerjen e edukimit të vijueshëm, anëtarësimin e tyre pranë organizatave profesionale dhe kryerjen e shërbimeve me integritet, është thelbësor për përmirësimin e rolit të biznesit dhe rritjen e cilësisë në kryerjen e këtyre shërbimeve në përputhje edhe me standardet etike të detyrueshme me ligj.
Ky proces i cili ka për objektiv përfundimtar formalizimin e tregut të shërbimeve të kontabilistëve të miratuar, duke garantuar një edukim të vijueshëm konseguent dhe shërbime profesionale të mbikëqyrura përmes organizatave profesionale dhe BMP, përkon edhe me
veprimtarinë e Qeverisë Shqiptare në tërësi për reduktimin e informalitetit, ku roli profesional i Kontabilistëve të Miratuar është i domosdoshëm dhe mjaft i rëndësishëm.
Edhe pse krahasuar me vendet anëtare të IFIAR apo BE si dhe vende të tjera të zhvilluara,profesioni kontabël në Shqipëri është një profesion i ri, numri i personave që kanë fituar titullin e KM eshte rreth 2,400 individë nga të cilët në informacionet e vëna në dispozicion deri tani nga OP rezultojnë rreth 900 individë të regjistuar si aktivë.
Qëllimi i reformës ka për objektiv formalizimin e të gjithë zotëruesve të titullit, qofshin praktikant ose jo praktikant, duke bërë të mundur garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore lidhur me detyrimet e tyre ligjore që përfshijnë zbatimin e standardeve etike dhe kërkesave ligjore lidhur me pastërtinë penale të figurës së KM-ve, edukimin e vijueshëm, anëtarësimin në organizatat profesionale si ushtrues ose jo ushtrues dhe garantimin e
cilësisë së shërbimeve përmes mbikëqyrjes nga organizatat profesionale përkatëse.
Rregjistrat përfundimtarë të konsoliduar të KM-ve do të jenë guri i themelit për të garantuar që asnjë shërbim i parashikuar dhe rregulluar me ligj të mos ofrohet nga individë të tjerë të pa licencuar apo që konkurojnë në mënyrë të pa drejtë me ushtruesit e rregullt të profesionit si dhe do të jenë subjekt i memorandumeve me institucionet e tjera që ky proces të jetë i garantuar dhe i formalizuar përfundimisht sipas kërkesave dhe dispozitave ligjore që do kenë një impakt të drejtpërdrejtë në formalizimin e ekonomisë.
Ashtu sikurse mund të jeni informuar nga njoftimet e Organizatave Profesionale të Kontabilistëve të Miratuar përkatëse, në zbatim të ligjit 10 091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar” i ndryshuar, dhe të rregullores nr.
9 datë 27.02.2019 “Për rregullimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të profesionit të Kontabilistit të Miratuar dhe organizatave të tyre profesionale”, ndryshuar, Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka ngritur pranë tij Komisionin Ad-Hoc për të realizuar procesin e verifikimit të përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së subjekteve mbajtës të titullit Kontabël i Miratuar nëpërmjet dosjeve të vetë-deklarimit.
Ndërkohë, dëshirojmë të falenderojmë Organizatat Profesionale për bashkëpunimin e deritanishëm dhe dorëzimin e dosjeve të anëtarëve të tyre dhe përfitojmë nga rasti që përmes këtij njoftimi të lutemi të gjithë zotëruesve të titullit që nuk kanë arritur të dorëzojnë dokumentacionin përkatës që të bëjnë depozitimin pranë organizatës profesionale përkatëse ose pranë sekretarisë teknike në Bordin e Mbikëqyrjes Publike.
Pas verifikimit nga Komisioni Ad-Hoc, çdo KMA dhe KMJ, do konfirmohet si i tillë nëpërmjet një vërtetimi të lëshuar nga BMP ku garantohet se subjekti i ka plotësuar dispozitat ligjore ose është duke i përmbushur brenda periudhës tranzitore të parashikuar
në kuadrin rregullator në fuqi dhe nuk ka dënime të formës së prerë mbi të. Subjekti KM e dorëzon vërtetimin në njerën prej organizatave profesionale të njohura nga BMP, ku subjekti është anëtar apo dëshiron të anëtarësohet, për tu pajisur më pas prej tyre me kartën personale profesionale me të cilën konfirmohet njohja publike e titullit profesional të fituar dhe e drejta e ushtrimit të profesionit në vijim.
Gjithashtu, shfrytëzojmë rastin përmes këtij njoftimi të kërkojmë prej organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar që jo vetëm të sensibilizojnë anëtarët e tyre për ndjekjen me pritoritet të këtij procesi me rëndësi, jo vetëm për mjedisin e kontabilistëve të miratuar dhe cilësisë së shërbimeve të tyre por edhe për interesin publik në tërësi, por edhe të nxisin anëtarët e tyre për të patur një rol proaktiv në formalizimin e biznesve dhe njësive ekonomike në të cilat ata ofrojnë shërbime duke dhënë një kontribut në formalizimin e ekonomisë në tërësi, si një faktor kyç edhe për zhvillimin e mëtejshëm të profesionit kontabël, thuhet në njoftimin e Bordit.
Bordi njofton se subjektet mbajtës të titullit KM duhet të dorëzojnë dokumentat e specifikuara në dokumentin bashkangjitur linkut të mëposhtëm: http://www.bmp.al/wp-content/uploads/2019/08/Njoftim.pdf
/Monitor.al