Të hënën Parlamenti do të zhvillojë një seancë të posaçme për kërkesën e paraqitur nga 55 deputetë të mazhorancës për shkarkimin nga detyra të Presidentit, Ilir Meta. Të hënën pasdite në ora 17:00 është përcaktuar që të paraqitet raporti i komisioni të Ligjeve, ku e cilëson si të ligjshme kërkesën për shkarkimin e Metës, duke kërkuar që të miratohet dhe ngritja e komisionit të posaçëm hetimor.
Gazeta Si ka mësuar se janë parashikuar 130 minuta debat në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Metës, ku 70 minuta janë në dispozicion të mazhorancës, ndërsa 60 të tjerat në dispozicion të opozitës parlamentare.
Për më shumë se dy orë në seancë do të debatohet mbi kërkesën për shkarkimin dhe nëse Presidentit kishte të drejtë për dekretin që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, duke nxjerrë më pas edhe një dekret tjetër që zgjedhjet lokale të mbaheshin më 13 tetor. Nisma për shkarkim vjen pas refuzimit që mazhoranca i bëri dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke miratuar rezolutë të posaçme.
Kuvendi ka vendosur që të ndryshojë orarin e mbajtjes së seancës nga ora 18:00 në ora 17:00 për shkak të protestës së opozitës. PD dhe aleatët e saj kanë thirrur protestën e 10-të kombëtare përpara Kryeministrisë pikërisht në ditën kur do të diskutohej për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit. Nisja është njoftuar në ora 20:00.
Raporti i Komisionit të Ligjeve
Raporti i komisionit të Ligjeve që disponohet nga Gazeta Si është hartuar nga dy relatorët, deputetët socialistë Adnor Shameti dhe Klotilda Bushka. Në dokumentin prej katër faqesh renditen edhe arsyet se kërkesa e 55 deputetëve është e drejtë dhe se çmohet që ngrihet komisioni hetimor. Gjithashtu Komisioni i Ligjeve sugjeron që pjesë e punës së komisionit hetimor duhet të jetë edhe letra e kthyer nga sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, e cila u cilësua nga mazhoranca si fyese ndaj Parlamentit.
“Komisioni shqyrtoi bazueshmërinë ligjore të kërkesës së paraqitur dhe çmoi se në aspektin ligjor dhe procedurial kërkesa është në përputhje me nenin 90, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Komisioni, vlerësoi se nga pikëpamja substanciale, kërkesa e 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës përmban shkaqe nga ato që parashikohen në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës, për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të kryer nga Presidenti i Republikës. Pjesë e hetimit duhet të jetë dhe shkresa nr.1956/1prot, datë 22.06.2019 e sekretares së përgjithshme të institucionit të Presidencës”, thuhet në dokumentin që do të lexohet të hënën në Parlament.
Komisionin hetimor pritet ta drejtojë deputeti i PS-së, Ulsi Manja, që është edhe kryetari i komisionit të Ligjeve.
Pjesë nga raporti
Gazeta Si po publikon një pjesë të raportit të komisionit të Ligjeve që do të paraqitet në seancën e së hënës. Më poshtë raporti pro shkarkimit të presidentit dhe ngritjes së komisionit të posaçëm hetimor:
Komisioni konstatoi se: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta (neni 92/gj), ka nxjerrë dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Në bazë të këtij dekreti, është caktuar si datë e mbajtjes së zgjedhjeve, data 30 qershor 2019. Në përmbushje të këtij parashikimi, kanë filluar të gjitha procedurat sipas Kodit Zgjedhor për bërjen të mundur brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të procesit zgjedhor. Konkretisht tashmë: – Janë ngritur Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (Neni 28 i K.Zgjedhor); – Janë përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve (Neni 56 i K.Zgjedhor); – Është kryer regjistrimi i partive politike (Neni 64 i K.Zgjedhor); – Janë depozituar listat e kandidatëve të partive politike (Neni 67 i K.Zgjedhor); – Ka filluar fushata zgjedhore (Neni 77 i K.Zgjedhor), etj.
Ndërkohë që ka filluar periudha zgjedhore, Presidenti ka nxjerrë dekretin nr. 11199, Datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Sipas nenit 1 të këtij dekreti, shfuqizohet dekreti nr. 10928/2018, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.
Arsyet e dhëna nga Presidenti mbi anulimin e datës së zgjedhjeve kanë të bëjnë me: – Shqetësimin e thellë mbi situatën politike në vend; – Nevojën për shtensionimin e situatës në vend; Vetëdijen se kushtet aktuale nuk do të siguronin zgjedhje të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse; Bindjen se kjo vendimmarrje, në kushtet aktuale, është mënyra e vetme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi; Argumentin se kjo vendimmarrje mbështetet në kompetencën që i jep neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës, si dhe preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pika 3 e nenit 1, nenit 3, pika 2 e nenit 4, nenit 15, nenit 45, pika 1 e nenit 86, pika 3 e nenit 88 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organi përgjegjës për organizimin, administrimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nuk e mori në konsideratë për zbatim dekretin e Presidentit për anulimin e datë së zgjedhjeve vendore, dhe vijoi me procesin zgjedhor duke arsyetuar se ky akt i Presidentit është absolutisht i pavlefshëm, pasi ka dalë në kapërcim të kompetencave të Presidentit dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë.
Sipas nenit 94 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës është nul dhe konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Kuvendi i Shqipërisë me vendimin datë 13.06.2019, “Rezolutë mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, bazuar në përgjegjësinë që i ngarkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqipëria është Republikë Parlamentare, në respektim të parashikimit kushtetues se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike dhe duke mbajtur parasysh rolin dhe kompetencat e Presidentit në republikën parlamentare, mbështeti qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajoi këtë organ të vijojë të mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, akt ky që përbën të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019. ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës); ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës); ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K.Pr.Administrative); ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet; ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).
Komisioni shqyrtoi bazueshmërinë ligjore të kërkesës së paraqitur dhe çmoi se në aspektin ligjor dhe procedurial kërkesa është në përputhje me nenin 90, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Komisioni, vlerësoi se nga pikëpamja substanciale, kërkesa e 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës përmban shkaqe nga ato që parashikohen në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës, për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të kryer nga Presidenti i Republikës. Pjesë e hetimit duhet të jetë dhe shkresa nr.1956/1prot, datë 22.06.2019 e sekretares së përgjithshme të institucionit të Presidencës. Në përfundim të mbledhjes së datës 26.06.2019, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vendosi miratimin e raportit që do t’i paraqitet Kuvendit, duke propozuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar sipas parashikimeve të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit.
- 9 Shkeljet e pretenduara nga socialistët
- Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës);
- Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit;
- Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës);
- Ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, gërma “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor );
- Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe
nenin 109 të Kushtetutës); - Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje
të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës); - Ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4
paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K.Pr.Administrative); - Ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet;
Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).