Reportazh nga Geri Emiri
Qytetin e Vlorës e ka shoqëruar historikisht pamja me detin Jon që shtrihet përpara, duke u bashkuar me ujërat e Adriatikut dhe një gjuhëz tokësore në horizont, që duket sikur i është shkëputur një copë, për të formuar Ishullin e Sazanit.
Me tu shkëputur nga kalata, anija i nënshtrohet rrymave të dy deteve që mbushin Mesdheun, Adriatiku dhe Joni, që bashkohen duke u ngushtuar midis Gadishullit të Karaburunit në Shqipëri dhe Otrantos në Itali, me një gjerësi prej 71 kilometrash.
Nga porti në port! Porti i vogël i Sazanit u ndërtua gjatë pushtimit të italianëve pas Luftës së Parë Botërore dhe u zgjerua nga rusët në vitet 1960, duke e kthyer në port ushtarak. Pas një ore udhëtim me anije, këmbët prekin tokë, të rrethuar nga uji.
Dikur në Ishullin e Sazanit maksimumi mund të ëndërroje të shkelje, teksa e sodisje nga Vlora. Një trup ushtarësh të lodhur nga vapa, pa bluze, me një varkë të vogël ankoruar në port, vërdallisen në godinat ushtarake të shngjyrosura ca nga kripa e detit dhe ca nga vitet. Pas një grumbulli hekurishtet që ngjasojnë me pjesë anijesh, qëndron një fuoristradë e markës Shevrolet (Chevrolet). Ajo është përshtatur si cisternë uji dhe duket sikur bazën dikur e zotëronin amerikanët.
Zor se mund ta shkruaje këtë 27 vite më parë, deri sa ushtarët e Ushtrisë Popullore Shqiptare së bashku me familjarët e vendosur në ishull “fituan lirinë”, të largoheshin nga ai. Në korrik të 2015-ës buja se ishulli që ishte i hapur vetëm për ushtrinë do të hapej edhe për qytetarët, mori detet deri sa arriti në tokë. Përveç një firme të hedhur në letër nga ministrja e mbrojtjes në Tiranë, nuk duket të ketë ndryshuar gjë në ishull.
Nga anijet turistike që ankorohen me radhë në portin e vogël, nisin të dëgjohen copëza fjalish në italisht. Ata e kanë lakmuar shumë ishullin! Gjatë Luftës së Parë Botërore e pushtuan dhe megjithëse Lufta e Vlorës i detyroi të lëshonin qytetin në vitin 1920, Sazanit nuk ju ndanë deri sa erdhën gjermanët në vitin 1943. Me ardhjen e demokracisë e “veseve të saj”, u rikthyen kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe në vitin 2009 u larguan duke ja lënë ushtrisë shqiptare dominimin e ishullit.
Ilir Sallaku ka ikur më herët. Me origjinë nga Sauku, si duket erdhi për të bërë ushtrinë në’ 94-ën dhe një vit më pas iku i lumtur, duke e shënuar me bojë të kuqe mbi muret e gurta, ngjashëm me kullat e zonës së Veriut. Tironcit duket se ja kanë ndjerë mungesën familjes. 1 vit arriti të duronte edhe Lefteri nga Yzberishti, që ka shënuar emrin aty pranë.
Në kulmin e lulëzimit, ishulli numëronte rreth 10 mijë banorë. Ushtarak dhe familjarë të tyre. Jetonin mirë. Pasi erdhën rusët nisën të pinin edhe ca më shumë. Kishin shkolla, kinema, pallate, aq sa dukej si një qytezë e rrethuar nga deti.
Asfalti i lënë trashëgim nga e kaluara herë zhduket e herë shfaqet. Tabela orientuese apo ndonjë ciceron që pret turistët në ishull nuk duket gjëkundi. Por kjo nuk përbën problem kur mendon se je në një ishull që është rrethuar me fortifikime ushtarake, godina banimi, që flasin me heshtjen brenda mureve të tyre! Mbi kodër, diku dallon një radar e pak më tutje disa poligone.
Por natyra të fton të mendosh jashtë uniformës ushtarake. Gati në mes të ishullit formohet Gryka e Xhehenemit. Një gji i vogël, i hapur dhe shumë i thellë. Ndërsa në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti i vogël. Plazhi i vetëm, pagëzuar me statusin e Admiralit, gjendet ca më poshtë se gjiri.
Në sipërfaqen 5.7 kilometër katror gjenden gjallesa tokësore e detare të larmishme, si edhe bimësia që mbulon ishullin. Ai numëron 7 specie amfibësh, nga të cilët 3 janë specie të rralla. Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh, nga të cilët 13 janë të rrallë.
Nga lart, midis pishave, majë kodrave ose në llogoret e hapura, dallon bregun shkëmbor që nga pastërtia e ujit që e lag ngjason me ishujt oqeanik. Në vitin 2010 u shpall Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Në hapësirën detare përreth, nën ujë gjenden relikte të shumta anijesh antike dhe të dy luftërave botërore, që dëshmon se zona i ka zotëruar detet herët. Qyteti antik i Orikut, mbi kodrën përballë Sazanit, pranë bazës ushtarake të Pasha Limanit, mendohet se u themelua në mesin e shekullit të VI Para Erës Sonë.
Kapiteni shkund fort sirenën! Si duket se dielli i orës 12 e ka acaruar edhe më shumë. Me flokët deri tek supet, mjekrosh, rreth të gjashtëdhjetave, pranë kiçit ka lidhur biçikletën që e shoqëron sa në tokë aq edhe në det. Një zakon që e has edhe tek kapitenët e vjetër në Durrës.
Turistët nxitimthi braktisin godinat e periudhës së socializmit dhe njëri pas tjetrit kërcejnë në anije, ca në hije e ca të tjerë shtrirë në kuverdë për të marrë rreze. Në portin e Vlorës ose plazhin e Radhimës, gjen çdo ditë anije turistike që të dërgojnë në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit, ku gjenden plazhe të kristaltë, shpella detare si ajo e Haxhi Aliut, rrënoja kishash të vjetra dhe po patët fat mund të shihni dhinë e zezë të Karaburunit, tipike për zonën, si edhe Llogaranë e Dukatin. Ishulli i Sazanit mund të vizitohet edhe me mjete lundruese private, nga muaji maj deri në tetor./ Geri Emiri-Amfora.al/