Shpëtim Idrizi në një dekadë e gjysmë aktiv në politikën shqiptare është futur me meritë në lëmin e politikanëve që nuk e kanë të vështirë ta dredhin kur iu intereson. Karriera e tij politike, por më herët edhe ajo në administratë i ka të njohura kapërcimet e tij sa në njërin krah, në tjetrin, apo siç ndryshe populli e thotë, “pështyn aty, ku lëpin”.
Por këto pirueta politike të Shpëtim Idrizit, që në vitet e fundit ka marrë spaletat e një patrioti të madh, ndër vite i kanë kapërcyer edhe kufijtë territorial të Republikës së Shqipërisë. Në Kosovë, aty ku ndjesia patriotike dhe kombëtare ndofta është disi më e lartë se këndejmi, ka filluar të rritet aksioni politik i Idrizit. Pak ditë më parë ai ishte në një vizitë në Prishtinë, për një takim zyrtar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, si Aqif Rakipi, Alket Veliu dhe Galip Taho, kryetari i partisë PDIU nxitoi ta hidhte foton me Ramushin në rrjetet sociale. Domeos, në anët tona Ramush ka kredo të larta për atë çka bëri në luftë, por edhe për sjelljen politike në 20 vitet e fundit, pse jo respektohet. Dhe si për të marrë pak nga këto kredo Idrizi nxitoi ta publikonte këtë foto.
Por a mos vallë e ka harruar Idrizi një moment disi delikat në raportin me vetë Ramushin, kur ky ndofta për të parën dhe të vetmen radhë mund t’ia ketë pasur nevojën?
Vite më parë, z.Idrizi ishte zv.Presidenti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës. Në një nga mbledhjet e këtij Komisioni, kur do të debatohej ‘dosja e Haradinaj’, ai nuk mori pjesë në debat dhe nuk e mbrojti kauzën e drejtë të komandantit heroik për liri të UÇK! Këtë mungesë të tij Shpëtim idrizi e kishte justifikuar me faktin banal, se parlamenti nuk i kishte prerë biletën e avionit dhe ai nuk kishte pasur mundësi për këtë shkak t’i dilte në krahë kauzës së UÇK. Domethënë ajo biletë e çmuar e pengoi Idrizin që atë radhë të bëhej patriot, ose më mirë le ta quajmë ishte një patriot pa biletë.
Si janë këto rastësitë gjithmonë kështu, që kur duhet ta ndihmosh dike nuk pritet ajo biletë avioni për qamet. Ok, rastësisht. Po hajt të bindemi tani se sërish rastësisht vjen kjo vizitë në Prishtinë dhe foto me Ramushin, si për t’ua mbushur mendjen atyre në Tiranë që Shpëtim Idrizi është një patriot dhe nuk kërkon ta shfrytëzojë kauzën çame dhe atë kombëtare thjesht për përfitime meskine politike!
Kjo rastësi e çoi Shpëtim Idrizin pikërisht në këto kohë në Prishtinë për të takuar Ramush Haradinaj, se këtë herë sigurisht nuk është problem bileta, pasi tregtia e votave në Dibër ka rezultuar e mbarë dhe xhepat janë të mbushur mirë. Apo mos ndoshta rastësisht Shpëtim Idrizi këtë herë një patriot i pajisur me biletë ka shkuar në Prishtinë si për të na bërë të harrojmë tregtinë e votave të Dibrës, ku partia e tij kishte rol parësor?