Behar Bajri, i konsideruar si numri dy i grupit “Bajri” dhe më i rrezikshmi ndër anëtarët që tashmë ndodhen në burg, u ekstradua dje nga Holanda.
Ai ishte arrestuar në Roterdam në shtator të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar “Oaz”, që u zhvillua paralelisht në Shqipëri dhe Holandë. Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, si i dyshuar për 6 vepra të rënda penale. Burimet thanë se personazhi kyç në grupin që u godit vitin e kaluar ishte pikërisht Behar Bajri, apo i njohur edhe me dy mbiemrat e tjerë, Rustemi e Brajoviq.
Kur ai u arrestua në Roterdam kishte më shumë se një javë që ishte larguar nga Shqipëria. Informacioni për të u ishte përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga. Sipas burimeve, gjobat e vendosura kohët e fundit para goditjes së grupit, fillimisht u njoftoheshin të dëmtuarve nga Behar Bajri.
“Behari jam”, u thoshte në telefon i dyshuari dhe më pas viheshin në lëvizje të tjerët, të cilët, siç rezulton nga përgjimet e shumta, u vendosnin afat të dëmtuarve në disa raste edhe me frazën: “…e mira është mos ta vonosh porosinë”.
KRIMET
Për goditjen e grupit “Bajri”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda bënë një hetim të thelluar, duke hapur edhe dosje të vjetra krimesh që ishin pushuar në rrethana të dyshimta nga Prokuroria e Shkodrës.
Gjatë këtyre hetimeve, Policia tha se ishin zbardhur edhe 3 krime të rënda, që ishin pushuar më parë nga Prokuroria. Për të tria këto ngjarje, i dyshuari kryesor është 39-vjeçari Behar Bajri. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se Behar Bajri, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, dyshohet se më 21 mars të vitit 1999, rreth orës 20:30, në rrugën automobilistike Malësi e Madhe-Shkodër, në lagjen “10 Korriku”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Arben Tuzi.
Ndërsa më datë 7 shkurt të vitit 2001, Tuzi, që i kishte shpëtuar atentatit të mëparshëm, është qëlluar për vdekje me pistoletë në lagjen “Qemal Stafa”, te stacioni i mikrobusëve. Autori kryesor i kësaj ngjarjeje u dyshua të ishte shtetasi Behar Bajri, në bashkëpunim me një shtetas tjetër. Ndërsa më 20 qershor të vitit 2002, në fshatin Dobraç të Shkodrës, në banesën e shtetasit Behar Rustemi (Bajri), është vrarë me armë zjarri 15-vjeçarja Fabjola Hyseni, e deklaruar si bashkëjetuese e tij.
Kjo ngjarje u hetua si vetëvrasje dhe më pas u pushua nga Prokuroria. Por nga rihetimi i saj u siguruan prova se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, por bashkëjetuesja e Behar Bajrit ishte vrarë. Policia tha se i dyshuari kryesor për këtë ngjarje është pikërisht Behar Bajri.
EKSTRADIMI
Policia e Shtetit tha dje se nga bashkëpunimi me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar vuri në pranga në Holandë një prej pjesëtarëve të grupit kriminal “Bajri”, i cili u ekstradua dje nga Interpol Tirana.
“Nga specialistët e Zyrës Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami/ Holandë drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Behar Bajri (Rustemi)”, tha zyrtarisht Policia. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në vitin 2018 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, e mbetur në tentativë, “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
“Truri” i grupit, Enver Bajri, u kap në Spanjë një muaj pas operacionit
Në tetor të vitit 2018, një muaj pas operacionit “Oaz” ku u arrestua një pjesë e madhe e grupit “Bajri” në një aksion policor të shtrirë në Tiranë, Shkodër e Roterdam të Holandës, u arrestua në Spanjë drejtuesi i dyshuar i grupit, Enver Bajri.
Sipas burimeve zyrtare, Policia e Shtetit, në koordinim të plotë dhe intensiv të veprimeve me Policinë spanjolle dhe Policinë italiane kanë arritur të ndalojnë shtetasin në kërkim ndërkombëtar, Enver Bajri. Ai konsiderohej si “truri” i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit më 22 shtator të vitit të kaluar në një operacion të gjerë. Enver Bajri u ndalua në San Huan, Alicante, të Spanjës.
Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij. Enver Bajrit, në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro. Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg, për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.
Operacioni i koduar “Oaz” u finalizua me 11 persona të arrestuar e dy të tjerë të shpallur në kërkim, pas një hetimi intensiv që zgjati rreth 6 muaj. Mes të arrestuarve ishte edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të grupit dhe i vëllai Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator 2018 në Shkodër, gjithashtu me të njëjtin rol. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë konferencës për shtyp të nesërmen e operacionit tha se ishin shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.
I pari Enver Bajri, drejtuesi kryesor grupit, që u arrestua një muaj më vonë në Spanjë, ndërsa personi i dytë dyshohet si një nga personat që përdorej për të vënë gjoba. Burime nga grupi hetimor thanë se grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Europë. Ndërsa paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit.
Nga ana tjetër, burimet thonë se për disa nga veprat penale për të cilat ata akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshohen edhe nga Policia belge, kryesisht për pengmarrje, gjobëvënie, madje edhe vrasje, ndaj shtetasve shqiptarë që jetojnë e zhvillojnë aktivitetin atje.