Sekreti i ruajtur më së miri i Luftës së Dytë Botërore është fakti që dita e zbarkimit u planifikua në një shtëpi gjuetie në jug-perëndim të Skocisë.
Disa njerëz kur shohin kodrat ‘Galloway’ në jug-perëndim të Skocisë, shohin toka të egra, kreshta të dendura dhe shtigje të shkelura rrallë. Por, Morris Service tashmë 81 vjeç, ish-pilot i Forcave Ajrore Mbretërore dhe inxhinier i fabrikës së eksplozivëve, sheh histori.
Kur ishte fëmijë, ai u njoh me historitë e luftës gjatë shëtitjeve me të atin në ultësirën e ‘Criffel’. Ata ndesheshin me pjesët e mbetura të aeroplanëve që ishin përdorur gjatë luftërave, të gjitha të ekspozuara tashmë. Shumica e tyre ishin shkatërruar si pasojë e aksidenteve. Për një djalë të vogël ishte si të dëgjonte një leksion mbi historinë e aviacionit.
Zbërthimi i sekretit të Luftës së Dytë Botërore është një qëllim me të cilin Morris ka ecur që atëherë. Edhe sot, ai kontrollon të dhënat që tregojnë hyrjet dhe daljet e personelit ushtarak në atë zonë dhe di informacione të detajuara për mbi 400 përplasje duke përfshirë pilotët dhe lundruesit po në atë zonë.
Por është një histori, një sekret i jashtëzakonshëm, i cili akoma ngjall kureshtje. Ai përfshin dy nga figurat më me influencë të shekullit të kaluar dhe ditën ku supozohet se ata patën një takim në ‘Knockinaam Lodge’, një vend i fshehtë në ‘Rhins’.
Emrat e tyre të cilët nuk rezultojnë askund janë Winston Leonard Spencer Churchill dhe Dwight David Eisenhower. Dhe thuhet se ish-kryeministri britanik, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe komandanti i përgjithshëm i kohës së luftës, u takuan në dhomën kryesore, me pamje nga porti ‘Spittal Bay’ dhe planifikuan pushtimin e Aleancës së Normadisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke pirë çaj. Nëse flasim për historinë, ky ishte vendi, momenti, ora që dita e zbarkimit u bë realitet.
Historia na tregon se ky takim pati një rol vendimtar në formimin e rrjedhës së luftës më vdekjeprurëse të të gjitha kohërave. Që kjo ditë të ishte e suksesshme, Gjermanisë iu desh të pësonte një humbje të madhe dhe kjo gjë çoi në çlirimin e Europës Perëndimore.
Dhe kështu vazhdon historia… Ishte mesditë në mesin e një jave, dhe unë do takoja Morris-in duke shpresuar të merrja disa informacione mbi ditën që ndryshoi botën. Kisha një interes personal për luftën gjithashtu, sepse të dy gjyshërit e mi luftuan në Luftën e Dytë Botërore dhe ditëlindja ime e 5-të, të cilën e festova bashkë me gjyshërit ishte në një plazh 5 minuta larg ‘Knockinaam Lodge’.
“I kam lexuar të gjithë librat e historisë të cilët përmbajnë informacione mbi Luftën e Dytë Botërore”, tha Service, gjyshi i të cilit ishte një nënkolonel gjatë luftës së Parë Botërore dhe babai i tij ishte pjesë e Marinës Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Dhe akoma nuk kam parë asnjë informacion mbi takimin mes Churchill dhe Eisenhower. Kjo është ajo ç’ka më intrigon. Ndjehem si një spiun i Luftës së Ftohtë duke u përpjekur ta kuptojë këtë”.
Këmbëngulja e tij është aq e madhe sa vetëm këtë vit ai ka lexuar 16 libra të cilët mund të kishin qënë të dobishëm në zbulimin e të së vërtetës dhe vetëm së fundmi ai ka marrë një kopje të ditarit special nga ‘Bayonet’, treni i klasit të parë i përdorur nga Eisenhower kur ai udhëtoi fshehtas rreth Mbretërisë së Bashkuar.
“Ka të dhëna gjithandej”, tha ai, duke fërkuar duart. “Churchill u ul nga një hidroavion në ‘Knockinaam’ dhe kaloi dy netë, kjo është konfirmuar nga ata që ishin gjallë në atë kohë. Pastaj Eisenhower fluturoi në Turnberry deri në bregdet. Pra, sigurisht nuk mund të jetë koincidencë. Apo mundet kjo?”.
Në ditët e sotme, njerëzit bëjnë udhëtime drejt vendeve të luftës për shumë arsye.
Kur pasditja erdhi, Morris vuri në dukje faktorë të tjerë të D-Day që mund të ndihmonin në konfirmimin e takimit në shtëpizën e izoluar. Vetëm disa milje më tej ishte ‘RAF West Freugh’, një kamp trajnimi i armatimit që shërbeu si bazë për Njësinë e Shpërthimeve të Bombardimeve. Ka pasur gjithashtu një port të fshehtë ushtarak të krijuar për përdorim emergjent në ‘Cairnryan’ aty pranë. Të dy do të kishin provuar se kishin mjaft arsye për të shkuar atje.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se Eisenhower fluturoi në aeroportin Glasgow Prestwick, në janar të vitit 1944 me një qëllim të paditur para se të kthehej për të rritur moralin e ushtarëve dhe për një ditë peshkimi në ‘Banchory’.
Një arsye tjetër që udhëheqësit e kohës së luftës do të takoheshin në ‘Knockinaam’ ishte aty pranë Mulberry Harbor, një plazh dhe shtrati i detit në bregun e Wigtownshire që fshehu një nga sekretet e tjera të D-Day. Sepse ishte këtu, në ujërat e fshatit ‘Garlieston’, portet e përkohshme lundruese, të quajtura ‘Mulberries’, vendi ku u ndërtuan dhe u testuan përpara se të tërhiqeshin në Francë për të ndalur trupat, automjetet dhe furnizimet që do të përdoreshin gjatë sulmimit të Normandisë.
“Dhoma me siguri do të ishte vendosur në mënyrë të përkryer, veçanërisht në komplotin e sekretit të mbajtur më mirë në Garlieston,” më tha Service. “Churchill thuhet se ka vizituar gjithashtu ‘Mulberry Harbour’, ndërsa ajo ishte duke u ndërtuar. Një tjetër histori? Një tjetër sekret nëse më pyet mua! “
Ndërkohë që nuk ekziston asnjë gjurmë e shkruar përfundimtare, një tjetër version i ngjarjeve është se Churchill dhe Eisenhower u takuan pas “Rattle”, një konferencë sekrete e kohës së luftës e mbajtur një vit para D-Day në Largs, një qytet bregdetar dy orë me makinë për në veri. Për të nxjerrë në qendër të vëmendjes Londrën, Lordi Louis Mountbatten, shefi i operacioneve të kombinuara, solli një cirk ushtarak në veri dhe arkivat historikë tregonin se Churchill dhe Eisenhower ishin të pranishëm. Për të turbulluar më tej ujërat, një hotel i dytë skocez pretendon të ketë organizuar takimin përcaktues të epokës. Në 1944, dihet se Winston Churchill qëndroi në ‘Glenapp Castle’ në Ballantrae aty pranë, dhe pronarët e hotelit besojnë se uljet u diskutuan gjithashtu këtu. Është sikur sa më shumë njerëz të kenë folur për të, aq më shumë është konsumuar e vërteta.
Për të arritur në shtëpizën ‘Knockinaam’, unë udhëtova në lindje përmes tokave të banuara nga drerë dhe fshatarë, derisa harta e Skocisë u ndal papritmas në Detin Irlandez dhe ndalova në dyert e një hoteli. Sot, ‘Knockinaam’ duket si vendi ku mund të organizohej një thriller i përsosur historik i luftës. Një ultësirë e vendit të çon drejt e në një plazh zalli dhe limani të izoluar, të rrethuar nga një ndërtesë guri e cila i përket vitit 1869.
Në derën e përparme ka një pllakë blu e cila i dedikohet një ish-komandanti, gjithashtu edhe hero i luftës. Është e vështirë ta besosh, por këto ujëra që tashmë janë të qetë, dikur patrulloheshin nga nëndetëset.
“Me kalimin e kohës, ka më pak njerëz që e kujtojnë nëse takimi ka ndodhur apo jo”, tha David Ibbotson, i cili ka menaxhuar pronën për 16 vjet me partnerin e tij Sian. “Eddie Orr-Ewing, djali i ish-pronarëve, më tha se ishte i sigurt që ata kishin qëndruar këtu, por tani ai është 88 vjeç dhe kujtesa e tij nuk është aspak e besueshme. Babai i Orr-Ewing ishte në Shtëpinë e Lordëve si një politikan liberal, kështu që ai me siguri e njihte Churchill ndaj dhe e ftoi atë të qëndronte “.
Ndërsa Ibbotson-s nuk kanë qenë kurrë të sigurt për legjitimitetin e tregimit – kjo është, në fund të fundit, njëra prej historive që kanë trashëguar nga pronarët e mëparshëm – historia konfirmon se koha më e mirë e hotelit mund të ketë qenë kur ajo nuk ishte fare hotel, por përdorej për diçka tjetër. Para se të kthehej në hotel në vitin 1973, shtëpia private u përdor si spital ushtarak për të mjekuar të plagosurit.
Jo të gjitha vendet do të mirëprisnin kujtime të tilla të dhimbshme. Por vendasit këtu janë me të drejtë krenarë për rolin e vendit të tyre në përpjekjet e Luftës së Dytë Botërore. Misteri i takimit mes Churchill dhe Einshower tregon se është folur për fshatin e tyre ndër vite. Legjenda e takimit sekret është thellësisht e rrënjosur në mendjen e tyre. Dhe për ta, nuk ka asnjë dyshim se takimi i fshehtë ka ndodhur dikur.