Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka dërguar një letër OSBE-së në të cilën i kërkon takim me delegacionin që ka qenë sot në Tiranë për të diskutuar mbi vendimin e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Megjithatë një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga sekretari i përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, sipas së cilit ka pasur një axhendë të ngjeshur ç’ka ia pamundësonte një takim tjetër. Në letër, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka ngritur akuza të rënda për kryeministrin Edi Rama, ku shkruhet se si ai po përfiton nga fakti që nuk ka gjykatë Kushtetuese dhe ka “kapur” Ekzekutivin, që e tregon dhe çështja e Teatrit.
“Shpronësimi i truallit publik dhe privat që rrethon Teatrin Kombëtar është bërë i mundur nga një i ashtuquajtur ligj special. Gjithçka që vjen më pas, nuk është gjë tjetër veç legalizimit të vjedhjes, e bërë e mundur falë faktit që Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese për të paktën dy vjet. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese, rezultat i të ashtuquajturës ‘reforma në drejtësi’, i ka dhënë mundësi qeverisë të pushtojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri. Nuk e ekzagjerojmë aspak kur themi se qeverisemi nga dekretet dhe çdo vendimmarrje, sado e rëndë mund të jetë, është e lejueshme, për sa kohë që qeveria e aprovon. Z. Sekretar i Përgjithshëm, Komuniteti ndërkombëtar i ka kushtuar shuma të mëdha monetare dhe burime njerëzore për të ndërtuar një demokraci funksionale, shtet ligjor, ndarje të pushteteve dhe balancave në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ekziston në këtë moment dhe Ekzekutivi, i kontrolluar personalisht nga kryeministri Rama, është totalisht i shfrenuar, ashtu siç tregon edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Ne besojmë se do ishte një gabim fatal, gabim i cili do dëmtonte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse një gjendje e tillë do lejohet të vazhdojë”,shkruan Aleanca e Teatrit.
Por në përgjigje të kësaj letre, Greminger thekson se të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.
“Kam marrë me kënaqësi ftesën tuaj, pasi ajo tregon konsideratë për Organizatën që unë përfaqësoj. Megjithatë, për fat të keq, për shkak të një vizite të shkurtër dhe një axhende të ngushtë, nuk isha në gjendje ti u përgjigjesha pozitivisht. Duke pasur parasysh zhvillimin e djeshëm, përkatësisht Presidentin e Republikës, duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ligjin e posaçëm për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës së Lartë para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje”, shkruhet në përgjigjen e Greminger .
Letra e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar
Ne, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup artistësh dhe qytetarësh që jemi bërë bashkë për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, ju kërkojnë në mënyrë miqësore dhe do ishim shumë të nderuar, të takonim delegacionin tuaj gjatë vizitës suaj këtu. Ndërkohë që në syrin e publikut të huaj çështja e Teatrit mund të duket një problem i brendshëm ne mund t’ju garantojmë ju se është fakt i qartë i mishërimit të krizës politike në Shqipëri.
Shpronësimi i truallit publik dhe privat që rrethon Teatrin Kombëtar është bërë i mundur nga një i ashtuquajtur ligj special. Gjithçka që vjen më pas, nuk është gjë tjetër veç legalizimit të vjedhjes, e bërë e mundur falë faktit që Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese për të paktën dy vjet. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese, rezultat i të ashtuquajturës ‘reforma në drejtësi’, i ka dhënë mundësi qeverisë të pushtojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri.
Nuk e ekzagjerojmë aspak kur themi se qeverisemi nga dekretet dhe çdo vendimmarrje, sado e rëndë mund të jetë, është e lejueshme, për sa kohë që qeveria e aprovon. Z. Sekretar i Përgjithshëm, Komuniteti ndërkombëtar i ka kushtuar shuma të mëdha monetare dhe burime njerëzore për të ndërtuar një demokraci funksionale, shtet ligjor, ndarje të pushteteve dhe balancave në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ekziston në këtë moment dhe Ekzekutivi, i kontrolluar personalisht nga kryeministri Rama, është totalisht i shfrenuar, ashtu siç tregon edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Ne besojmë se do ishte një gabim fatal, gabim i cili do dëmtonte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse një gjendje e tillë do lejohet të vazhdojë.
Në takimin tonë ne do donim të diskutonim një rrugëzgjidhje të mundshme për krizën dhe si rikthimi i shtetit ligjor do të ndihmonte Teatrin Kombëtar si dhe të gjithë vendin. Çdo informacion tjetër teknik që ju mund t’ju duket i nevojshëm lidhur me çështjen, mund t’ju vihet në dispozicion. Ne jemi në pritje të një takimi nga ju dhe Prania në Shqipëri e OSBE.