Analistja Zamira Çavo, në një intervistë për Gazetën “Shekulli” komenton krizën politike në vend. Ajo thotë, se ka ardhur koha që PS-PD-LSI të largohen nga skena politike, pasi ka mbaruar koha e tyre. Teksa analizon vendimet e PD-së, Çavo shprehet: Të kërkosh qeveri teknike kur duhet të përfundosh Reformën në Drejtësi, e kur duhet të përmbyllësh realizimin e procesit të tejzgjatur integrues, do të thotë të minosh demokracinë dhe të ardhmen e vendit”
Intervista e plotë:
Znj.Çavo, si e gjykoni situatën politike në vend?
Situata politike mendoj se ka arritur tashmë kulmin e saj. Vetëm se kjo krizë që po shkarkohet mbi kurrizin e popullit është një krizë artificiale e krijuar nga politika aktuale, por që po merr përmasa të frikshme. Pra nëse do shprehesha më thjeshtë do të thosha kjo është krizë e partive politike në Shqipëri dhe dëshmon për degradimin e elitës politike ekzistuese por edhe për mungesën e kulturës demokratike që kemi ne si popull.
A mendoni se kriza do zgjidhet përmes një marrëveshje të fshehtë PS-PD?
Kjo krizë ka hyrë në një rrugë pa kthim. Kjo do të thotë se opozita politike e vetpërjashtuar nga lufta politike demokratike, nuk ka më asnjë rrugëdalje. Ajo tashmë e ka detyruar këtë opozitë t’i shkojë deri në fund marrëzisë së saj politike! Ndaj gjykoj që nuk ka vend për marrëveshje të kësaj natyre! Një marrëveshje e minutës së fundit do t’ia shtonte ankthin Shqipërisë dhe do ja vështirësonte frymëmarrjen popullit! Zgjidhje të kësaj natyre me marrëveshje nën tavolinë kanë treguar se bëhen nga nxitësit e kaosit për të zgjatur jetën e tyre politike. Personalisht mendoj se jemi në një pikë të historisë, ku e ardhmja më tepër se kurrë është në duart tona! Unë gjykoj se Kjo elitë politike ndoshta pa dashje, ka ardhur në fund të rrugëtimit të vet historik. Largimi nga skena politike e Berishës, Bashës, Monikës e Ramës është vetëm çështje radhë!
Si e gjykoni kërkesën e opozitës për qeveri tranzitore?
Është një kërkesë jashtë çdo logjike politike e çdo interesi publik! Të kërkosh qeveri teknike kur duhet të përfundosh Reformën në Drejtësi, e kur duhet të përmbyllësh realizimin e procesit të tejzgjatur integrues, do të thotë të minosh demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Ju mendoni se kjo qe kemi nuk është Qeveri teknike? Po qeveria hibride e zgjedhjeve të kaluara a nuk ishte e tillë? Dhe çfarë ndodhi? Asgjë! Pra kjo kërkesë është thjeshtë një absurd për të gënjyer njerëzit! Sipas opozitës Qeveria teknike do të përgatisë zgjedhjet e Kodin zgjedhor. Po me cilët aktorë? Me këta që janë ! Pra sërish do duhet të merren vesh e nëse partia në pushtet do veprojë sërish me taktikën e bllokimeve çfarë do bëjë qeveria teknike? Apo do ta zëvendësojmë me një tjetër “edhe më teknike”?? Ndaj them se as opozita nuk e ka të qartë se çfarë do kërkojë nga një qeveri e tillë dhe e ka ngushtuar kërkesën ne thirrjen që do duhej të ishte forcë e vërtetë, në një slogan qesharak: Rama IK!
Si e gjykoni raport-progresin e BE për Integrimin e Shqipërisë
Europa ka problemet e veta. Dhe gjykoj që çështja e Ballkanit perëndimor do mbetet sërish larg interesave të saj. Por raport progresi të paktën nuk i dha shkas opozitës ta përdorte si një argument plus në luftën e saj pa rrugëdalje! Por personalisht nuk shikoj ndonjë gjë më esenciale e pozitive nga ajo që kemi lexuar edhe një vit më parë!
Komisioni i Integrimit përmes një letre fton ambasadoren Holandeze që të vijë në Shqipëri për të sqaruar kërkesën që Holanda i ka bërë KE për rivendosjen e vizave. Si e shikoni qëndrimin e Holandës ndaj Shqipërisë?
E vlerësoj si një praktikë që realisht duhet përdorur në institucionet e qeverisjes sonë. Por nuk gjykoj se një ambasador duhet të thirret në një Parlament. Ka Ministri për këtë punë. Gjithsesi veprimi i
Holandës është thjeshtë një veprim i nxitur keqas, jo nga realiteti shqiptar, por nga perceptimet negative që media e klane të caktuara politike kanë krijuar për Shqipërinë e shqiptarët. A nuk e vutë re se si u shpreh kryeministrja serbe për shqiptarët? Kjo duhet të na bëjë t’i thërrasim mendjes të gjithë. Por politika, ajo opozitare edhe ajo qeverisëse nuk e kanë në “axhendë” reflektimin serioz ndaj këtij perceptimi. Atyre u intereson mjegulla e tymnajave të shashkave e gazit lotsjellës për të fshehur intrigat e tyre, pasuritë e tyre dhe aleancat e nëndheshme që po i mbajnë në pushtet prej 30 vitesh! Uroj vetëm që shqiptarët të mos bëhen më mish për top për interesat e kësaj klase politike vulgare e të degraduar!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me asistencën teknike të Institutit Demokratik Amerikan (NDI) dhe mbështetje të Ambasadës Britanike, trajnoi kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe financierët e tyre, lidhur me deklarimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara gjatë fushatës zgjedhore. Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për herë të parë edhe kandidatët për kryetarë bashkie do të raportojnë financat e fushatës nëpërmjet partive politike që ata përfaqësojnë. Trajnimet u zhvilluan në 12 qarqe të Shqipërisë, dhe patën për qëllim që kandidatët për kryetarë bashkie të njihen me detyrimet ligjore për raportimin financiar, të rrisin kapacitetet e tyre për të siguruar një zbatim efektiv të ligjit, të akteve të KQZ-së dhe të kërkesave të raportimit bazuar në formatet e reja të miratuara nga Komisioni. Aktualisht KQZ-ja ka trajnuar kandidatët për kryetar bashkie të 59 bashkive, ndërkohë për kandidatët që garojnë për bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit, trajnimi do të zhvillohet ditën e Mërkurë dhe të Enjte të kësaj jave.
Cakaj: Nuk ka forcë që i ndalon zgjedhjet e 30 qershorit!
Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat me Kryetarin e radhës së OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák, foli për situatën e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai bën me dije, se Shqipëria do të ketë zgjedhje me datë 30 qershor. “Në këtë mbledhje nuk kam mundur të aktroj sikur në Tiranë nuk ka ndodhur asgjë. Kemi diskutuar edhe për rrethanat e brendshme në Shqipëri dhe për sjelljen e opozitës në veçanti. Ajo çka kam siguruar ministrin Lajçak qoftë në cilësinë si ministër i punëve të jashtme të Sllovakisë dhe qoftë si Kryetar i radhës i OSBE-së është se axhenda progresive do të vazhdojë pa asnjë diskutim përkundër sjelljeve të dhunshme që mund të karakterizojnë Tiranën ditët e fundit ose do të shtohen ndërkohë. Është tepër e rëndësishme që zgjedhjet do të mbahen me 30 qershor, pa asnjë diskutim, dhe nuk ka forcë ti ndalojë për të ndodhur dhe po ashtu kalendarët elektoralë dhe kushtetues të Shqipërisë do të respektohen me përpikmëri. Dhuna e opozitës është e papranueshme për imazhin që ka nevojë Shqipëria aktualisht ndërkombëtarisht, dhe nuk kontribuon pozitivisht cilësisë së reformave që ka nevojë Shqipëria të ndërmarrë në këtë fazë dhe po ashtu nuk kontribuon pozitivisht momentit delikat për hapjen e negociatave.
Meta apel politikës: Zgjidhni urgjentisht krizën përmes reflektimit dhe dialogut
Në takimin që pati këtë të hënë me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Sllovakisë, njëkohësisht Kryesues i radhës i OSBE-së, Miroslav Lajçak, Presidenti Ilir Meta evidentoi domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të krizës së thellë kushtetuese, institucionale, politike dhe përfaqësuese ku ndodhet vendit, përmes reflektimit dhe dialogut. Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta i bëri thirrje për vetëpërmbajtje opozitës joparlamentare gjatë protestës së dhunshme që shpërtheu ditën e diele tek Kryeministria dhe Parlamenti. Zyra e shtypit, që zbardhi bisedimet e bëra pa praninë e mediave, thotë se “Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Kryesia sllovake i ka kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së kandidaturës shqiptare për kryesimin e Organizatës gjatë 2020. Në këtë sipërmarrje, Shqipëria do të mbështetet në ekspertizën e Sekretariatit të OSBE-së dhe të vendeve partnere, duke siguruar vazhdimësinë e prioriteteve me kryesitë e mëparshme, përfshirë dhe Sllovakinë”, – u shpreh Presidenti Meta. Kreu i Shtetit inkurajoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, përfshirë bashkëpunimin edhe më të madh në kuadër të Grupit të Vishegradit. Duke u ndalur në Kryesinë shqiptare të OSBE për vitin e ardhshëm, Presidenti Meta theksoi se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe që kërkon përkushtim tejet serioz edhe për vetë ndikimin që ka për imazhin e vendit. “Është e domosdoshme që gjatë kryesisë së OSBE, Shqipëria të reflektojë vlerat e mirëfillta të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të respektimit të lirive themelore, duke mishëruar denjësisht imazhin e Organizatës”. /SHEKULLI