Kompanitë e huaja transferuan jashtë vendit 102 milionë euro në formën e transferimit të fitimit dhe pagesave të interesave gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave për periudhën janar-mars, fluksi dalës prezantohet në formën e pagesave të dividendëve dhe fitimit të riinvestuar (78 milionë euro) si dhe pagesa interesash (23 milionë euro).
Kjo është shuma më e lartë e transferuar në formë fitimesh në të paktën një dekadë, që nga tremujori i parë 2008, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Transferimi i fitimeve ishte i lartë në periudhën 2008-2010, si rrjedhojë e performancës së mirë të kompanive të telefonisë celulare, që në atë kohë vepronin në një treg oligopol dhe kishin norma fitimi mbi 50%. Më pas me rritjen e konkurrencës fitimet e tyre ranë, duke ndikuar në reduktimin e transferimit të fitimeve që ishte minimal prej vetëm 10 milionë euro në 2013-n për periudhën janar-mars. Më pas, ky tregues u rrit sërish si rrjedhojë e performancës pozitive të bankave me kapitale të huaj dhe daljes së skenë të kompanive koncesionare, ku rekordin e mban koncesionari i Rinasit, Tirana International Airport.
Priten transferime rekord fitimesh, si do ndikojnë te kursi
Në janar të këtij viti ka hyrë në fuqi një ndryshim në paketën fiskale të vitit 2019, që ul tatimin mbi dividendin në 8 për qind nga 15 për qind, me efekt prapaveprues edhe për vitet e mëparshme. Sipas një udhëzimi të posaçëm të tatimeve “Për tatimin mbi të ardhurat” për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara shkalla e tatimit 8 për qind zbatohet me kushtin që: -tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019; -tatimi për dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.
Si rrjedhojë, kompanitë, përfshirë ato të huaja janë të detyruara që të shpërndajnë fitimet deri në fund të muajit shtator.
Sipas të dhënave të përpunuara më parë nga Monitor, 8 kompanitë me fitime më të mëdha të huaja (Telekom Albania, Vodafone, Raiffeisen Bank, Intesa San Paolo, BKT, Tirana International Airport, Spiecapag Shqipëria dhe Transadriatica) kishin fitime të pashpërndara prej 94 miliardë lekësh dhe rezerva prej 29 miliardë lekësh (86% e të cilit e ka Telekom Albania), ose rreth 1 miliardë euro në total.
Kjo shumë nëse do të konvertohet nga lekë në euro, sipas ekspertëve pritet që të ushtrojë presion për mbiçmimin e euros. Kujtojmë që një nga arsyet se pse monedha e përbashkët u forcua duke filluar nga viti 2009 ishte pikërisht kërkesa e lartë për valutë nga operatorët e telefonisë celulare, që transferonin fitimet e viteve të mëparshme. Euro u rrit ndjeshëm nga rreth 125 lekë në 2007-n, në 140 lekë në vitin 2010, (ndonëse në atë periudhë deficiti i llogarisë korente, që mat hyrje daljet e valutës në vend u përmirësua), pikërisht për shkak të kërkesës së lartë për valutë, duke arritur në një ekuilibër të ri. Euro qëndroi në ekuilibrin e 138-140 lekëve, deri në mes të vitit 2016, ku rmonedha e përbashkët njohu rënie të vazhdueshme, për t’u luhatur aktualisht në rreth 122 lekë, për shkak të ofertës së shtuar për valutë nga aktivitetet informale, prurjet e shtuara nga turizmi dhe rigjallërimi i ciklit të prurjeve të emigrantëve (shih grafikun e kursit).
Shpërndarja ka filluar, 400 milionë euro për ish aksionerët e Telekom Albania
Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, mori në fund të prillit vendimin që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication. Vendimi u mor pak ditë përpara kalimit përfundimtar të aksioneve të Telekom Albania nga grekët e Cosmote te bullgaro-shqiptarët e Albania Telecom Invest AD, që u finalizua në 7 maj.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, z. Dimitrios Paschos, përfaqësues i Cosmote Mobile Telecommunication, ka deklaruar se shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionerët. Z Paschos shpjegoi se shuma që do t’u shpërndahet aksionerëve në formën e dividendit është në vlerën e rreth 50 miliardë lekëve.
Tirana International Airport, koncesionari më fitimprurës në vend ka vendosur në prill që të miratojë nga fitimi i vitit 2018 një shumë prej 8 milionë euro si shpërndarje dividendi, ndërsa ka lënë si fitim të mbajtur shumën prej rreth 15 milionë eurosh. Në bilancin e vitit 2018, kompania ka edhe 3.1 miliardë lekë (rreth 25 milionë euro) fitime të mbartura.
Banka Kombëtare Tregtare ka vendosur në fund të marsit që 35 milionë dollarë nga fitimet e pashpërndara të vitit 2018, të shpërndahen si dividend për aksionerin e vetëm të BKT-së, Calik Finansal Hizmetler, sipas vendimit të Asamblesë të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Revista Monitor