Nga Pëllumb Nako
Ato janë dy dosje me hetime të filluara në kushte jo të njëjta, nga autoritete të ndryshme. Respektivisht, autoritetet kompetente italiane dhe shqiptare.
Pavarësisht se secila flet për ngjarje konkrete, pa lidhje direkte me njëra-tjetrën, aty evidentohen fenomene të së njëjtës logjikë. Me persona dhe në krahina të ndryshme, dosjet nxjerrin në dukje plagë të njëjta dhe zbardhin si dy pika uji realitetin më të rëndë, të cilin po përjeton për fat të keq shoqëria e sotme shqiptare.
Në kohë të ndryshme, larg njëratjetrës, të dyja dosjet na ofrojnë pamjen e pushtetit të sotëm. Skanimi i tyre dëshmon mënyra veprimi tipike të një vendi ku pushteti karakterizohet nga një profil okult. Ku organet kompetente të drejtësisë lëkunden ndërmjet paaftësisë dhe kapjes politike, ku i vetmi institucion funksional mbetet opinioni publik.
Aktualisht, aktiviteti real i pushtetit në vendin tonë po largohet nga kontrolli publik më shumë se kurrë. Veprime, të cilat rrethohen me termin “sekret”, pësojnë vetëm rritje. Metoda dhe vendime ekonomike me fatura kolosale financiare vihen në jetë në ortakëri me klientelën ekonomike, madje dhe kriminale, ku askush nuk ka as mundësinë dhe as kurajën “t’u fusë hundët” në afera.
Përmbajtja e dosjeve nxjerr të vërteta të pushtetit të sotëm, i cili më shumë se kurrë, i përngjason një kështjelle të rrethuar e fortifikuar rëndë, të mbrojtur mirë nga sytë dhe veshët kureshtarë të opinionit publik. E pamundur të depërtosh brenda tij. As organet kompetente të drejtësisë. Madje, për to është ende shumë herët të mendosh të kryejnë “heroizma” të tilla. Vetingu ka luajtur vetëm rolin e dorezave për të mbajtur pastër duart e politikës në ndërtimin e drejtësisë. Në kushte të tilla, krimi i organizuar shkrihet brenda pushtetit politik.
E vetmja mënyrë depërtimi në këtë kështjellë, janë hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë të organizuara në ngarkim të grupeve kriminale, nga ku rastësisht ose pothuaj rastësisht zbulohen titullarë e ofiqarë të niveleve të ndryshme qeveritare në kontakt me ta. Të mbuluara nga sekreti këto hetime, jo rrallëherë deformohen e mbulojnë të vërtetën. Për këtë arsye, bërja e tyre publike nxjerr në sytë e publikut realitetin se çfarë janë në gjendje të bëjnë të përzgjedhurit e tij. Sesi ndajnë pushtetin me krimin. Dhe jo vetëm kaq.
Kështu ndodhi me rastin e Habilajve, kur Prokuroria e shtetit italian ishte në ndjekje të një grupi të strukturuar kriminal dhe gjatë përgjimeve u ekspozuan edhe lidhje të tyre me ish-ministrin e Brendshëm të vendit tonë. Në mënyra të tjera, kush do të guxonte e të vendoste para përgjegjësisë një politikan të nivelit të tillë? Kush do të zbulonte se “sekreti qeveritar” është i barasvlershëm me “omerta”, me heshtje ortakësh në krim?
E njëjta gjë ndodhi edhe me politikanin e kalibrit tjetër, kryebashkiakun Dako. Hetimi ish ngritur kundër grupit kriminal të Shijakut për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, kurse përgjimet nxorën në dritë veprime të paimagjinueshme. Raportet e tyre me pushtetin politik. Edhe në këtë rast, zbulimi ishte rastësor. Të fillohej ndonjë hetim direkt për shkelje të bëra nga kryetari, as që shkohej ndërmend. Në lidhjet e pushtetit me krimin deri më sot organet tona nuk kanë asnjë të penduar.
Pra, të dyja dosjet provojnë se jemi para një pushteti bunker, autoritarist të blinduar nga sekretet, jashtë çdo transparence apo kontrolli publik. E pamundur edhe për organet ligjore për të depërtuar, edhe nëse do të kishin predispozicion. E pamundur edhe për gazetarët, edhe për ata që e quajnë veten investigativë.
Nuk është vetëm kjo ngjashmëria e realiteteve që rrethojnë dy dosjet. Disa vite më parë, kur një ish-oficer Policie denoncoi publikisht lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm me grupin kriminal Habilaj, pushteti me makinerinë e tij gjigante e përbaltjes u turr kundër këtij personi për ta diskredituar. Për të bërë të pabesueshëm denoncimin e tij publik, për të mbajtur vëmendjen e publikut larg skandalit.
E njëjta gjë, edhe në rastin e dytë me kryebashkiakun. Po hidhet baltë, po ngrihen mistere mbi gazetarin gjerman që publikoi përgjimet. Ka qenë apo nuk ka qenë në Shqipëri? Edhe gazeta ku ai punon, nuk u shpëtoi komenteve dashakeqëse të profesionistëve për raste të tilla. Është shumë apo pak porno revista “Bild”? Pra, në të dyja rastet, e njëjta mënyrë veprimi e levave të pushtetit. Rregulli mbetet absolut: nëse dikush ngre zërin publikisht, pushteti të shkatërron, të hedh baltë, të telendis, të diskrediton dhe kurrë nuk i shkon ndërmend të reflektojë moralisht dhe ligjërisht. Pas linçimeve të tilla, kush do të guxonte të bënte hetime për shkeljet qeveritare? Hedhja baltë mbi dikë që guxon, tipar i qartë i pushtetit okult.
Në ty dyja rastet e dosjeve vihet re një forcë e vetme, e cila ekziston dhe është e aftë për të lëvizur gjërat. Institucioni i vetëm me fuqi dhe besueshmëri të madhe, së cilës pushteti okult i trembet më shumë se kujtdo. Opinion publik. Opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Secili me fuqinë e tij. Ai ndërkombëtarr, shkatërrues. Ndaj dhe opozita duket se po mundohet të hyjë në të njëjtën llogore me ta. Në rast se presioni zyrtar ndërkombëtar ka filluar të nuancohet, ai publik vazhdon të ketë një ndikim madhor.
Edhe në rastin e dy dosjeve, duket qartë se “elementi ndërkombëtar” i presionit publik mbetet vendimtar në vënien në punë dhe sidomos në rritjen e transparencës së organeve të hetimit. Ai ka forcën e një tërmeti që nxjerr jashtë strofullës gjithë aktorët: politikanë, analistë të paguar ose jo si dhe drejtues të organeve të hetimit. Këtyre të fundit u kujton se kanë edhe një detyrë tjetër të rëndësishme për të kryer. Transparencën. Komunikimin me publikun.
Pas publikimit në “Bild”, titullarja e organit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëri pikërisht këtë gjë. Doli në publik, duke paraqitur një bilanc të hetimeve lidhur me dosjen “339”. Pra, mund të dilet hera-herës në media e të sqarohet opinioni publik për probleme që e shqetësojnë. Dosja “339” ka shumë kohë që komentohet, përse nuk është shprehur Prokuroria deri tani? Përse nuk doli para bombës “Bild”? Revista citoi gjëra, të cilat po komentoheshin prej kohësh në median tonë.
Njëlloj si të përbashkëtat e mësipërme, hasim edhe një tjetër. Akti i publikimit të pjesëve hetimore në media. Në shkelje të ligjit për sekretin hetimor. Në një kontekst të tillë, pyetja që mund të bëhet është e thjeshtë: Cila i shërben më shumë interesit të publikut të gjerë: shkelja e ligjit për sekretin hetimor, apo tronditja e klasës qeverisëse? Apo shkundja e organeve ligjore të mos manipuluar të vërtetën? Sigurisht, këto e dytat. Por në kushte të tilla, kur shkelja e ligjit sjell më shumë të mira sesa dëme, për fat të keq flet për një organ të delegjitimuar. Dhe rritja në numër e organeve të delegjitimuara i heq gjithmonë e më shumë legjitimitetin vetë shtetit. Pavarësisht motiveve, bërja publike e shpeshtë e akteve hetimore, e kthen Prokurorinë në organ me besim të lëkundur. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur dihet sesi u zgjodh Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme.
Bërja publike e hetimeve, shkelja e ligjit për të, vënia në lëvizje e medias së huaj dhe vendore, detyrimi e titullarëve të hetimit për të sqaruar publikun, deklarimet e të gjithë spektrit politik, sado të kundërta të kenë qenë, e prodhuan një produkt konkret. Treguan se pushteti okult nuk prodhon kurrsesi drejtësinë që u duhet të gjithëve.