Kryeministri Rama ka komentuar edhe përgjimet e nxjerra nga gazeta gjermane BILD, ku në njërin prej tyre dilte ish-ministri Damian Gjiknuri. Rama i ka komentuar ato përgjime me ironi, duke thënë se nuk janë asgjë dhe të gjithë do e shikojnë tërmetin nga Vlora.
Sipas kryeministrit Edi Rama rezultati 61-0 është i siguruar tashmë dhe se të gjithë po mendojnë të fillojnë nga puna.
“Me Damianin, që e kapën në përgjime edhe çfarë po thoshte në përgjime? Tërmet, tërmet. Këta që përgjojnë nga televizori ta shikojnë tërmetin këtu. Përgjime të bëra në 2016 dhe të mbajtura në kasafortë si minë me sahat për të hedhur në erë Shqipërinë. Përgjime që duhet të ishin hetuar dhe për të cilat hetimi duhet të kishte mbaruar me kohë dhe nëse do kishte fajtor, duhet të ishin ndëshkuar dhe harruar. Ata u mbajnë për t’u vënë në funksion antikombëtar nga katër karnavalet.
Këto përgjime dilnin në Gjermani përpara protestave të karnavaleve në Tiranë. Asgjë më të fëlliqur nuk kanë bërë tradhtarët e kombit shqiptar.
Kur shumica dhe qeveria nuk kanë një opozitës sfiduese që të sfidon me ide, alternativë, duke të ftuar në duel përpara publikut, atëherë bie tensioni, motivimi, sensi i garës. Është njësoj sikur Juventusi të luaj me Kamzës. Mund të presësh performancë maksimale? Shumë shumë mund të presësh të të thyhet një këmbë, dhe të mbrosh dhe kokën se të bie ndonjë këpucë se futboll zor se ka dhe në fund rezultati është si tani, 61 me zero. Kjo mungesë alternative, ka bërë që ne të mos arrijmë dot të japim maksimumin. Kemi bërë shumë punë, por nuk i kemi bërë të gjitha punët shumë mirë”, theksoi Rama.