Edi Rama dhe Lulzim Basha janë dy njerëzit me peshën më të madhe politike për momentin në Shqipëri. Njëri, kryeministër dhe lider i Mazhorancës që qeveris vendin prej 6 vitesh dhe tjetri kryetar i Partisë Demokratike në tentativë për t’u bërë lider i një populli opozitar që sa vjen dhe shtohet muaj pas muaji, Rama dhe Basha janë dy kundërshtar atipik për politikën shqiptare.
“Iu luta si Romeo Zhulieltës, je artist, çun i mirë, Luli është miku im, o njish…”, janë vetëm disa nga termat dhe togfjalëshat që kryeministri Edi Rama ka përdorur për të etiketuar kundërshtarin e tij më të madh, që aspiron t’i zërë vendin. Të paktën në dy vitet e fundit, ky lloj diskursi i Ramës karshi Bashës është shpeshtuar, sidomos kur klima politike është e acaruar, apo ndonjë skandal i madh ka shpërthyer në vend.
Dhe në këto dy muajt e fundit, Rama është në mes të disa zjarreve, nga njëra anë refuzimi për vijimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE nga disa vende anëtare, nga ana tjetër përgjimet e BILD dhe në fund raporti i Opozitës me institucionet. Është një moment me shumë dilema për kreun e qeverisë, që në çdo vend normal të botës do ndjehej i luhatur apo edhe i rrezikuar nga kreu i Opozitës.
Por Edi Rama kurrsesi, nuk duket të jetë në një nga këto gjendje për shkak të “mikut të tij”, Lulzim Basha. Këtë komoditet të tij Rama e ka treguar edhe mbrëmjen e kësaj marte. Pas deklaratave të Bashës nga foltorja e “selisë blu”, ku trashi zërin, duke thënë se Rama do e kishte fundin më të keq se Ramiz Alia, reagimi i kreut të qeverisë ishte i po të njëjtës linjë.
Se kuptove kurrë o njish që është shah politika,jo kukamçefthi as topa luftash,po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani,faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat,për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij,do dalë e plotë. Gjermanisht👊
— Edi Rama (@ediramaal) June 25, 2019
Në këtë situatë një pyetje lind natyrshëm, Pse Rama nuk e merr seriozisht Lulzim Bashën 4 ditë para 30 qershorit?
A mos vallë vazhdon marrëveshja e famshme e 17 majit të vitit 2017?
A mos vallë ka një “17 maj nën rrogoz”?
A mos vallë Rama tani ka marrë rolin e trimit dhe Basha të frikacakut?
Apo kjo sjellje e Ramës ndaj rivalit të tij në Opozitë për shkak të ndonjë mesazhi që mund të vijë nga ndërkombëtarët?
Këto pyetje janë enigma të mëdha për politikën, por edhe për vendin tonë. Deri në zgjidhjen e tyre, të gjithë do të vazhdojmë të shpresojmë që në 30 qershor të mos ndodhë asnjë nga hatatë. As hataja e një përplasje civile, po as ajo e votimeve në stilin monist, duke pasur si pasojë 61 kryebashkiak të emëruar direkt nga kryeministri. / Nga Fast News Albania