Dekreti i Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit ka ngritur menjëherë pikëpyetjet se cili institucion duhet të shqyrtojë aktin e dytë të kreut të shtetit: Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Administrative. Juristët janë të ndarë në pro e kundër, ka nga ata që janë të mendimit se vendimi duhet të jetë pjesë e shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi dekreti nuk është akt administrativ. Ndërsa PS-ja dhe juristët e saj janë të mendimit që të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor apo dhe Gjykata Administrativ. Ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj në një qëndrim të tijin ndan mendimin se dekreti duhet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila për momentin ka mbetur bosh dhe vetëm me një anëtar.
“Për ata që s’kanë sy të lexojnë e vesh që dëgjojnë: Dekreti i Presidentit nuk është akt administrativ individual dhe as akt normativ që të jetë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Administrative. Për më tepër lexoni nenin 1,2 dhe 3 te Ligjit “Per organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative”. Është akt juridik me karakter të përgjithshëm Kushtetues. Vetëm Gjykata Kushtetuese është kom0petente për ta shfuqizuar ose lënë në fuqi,ose Kuvendi nëpërmjet procedurës së shkarkimit të presidentit, mund të sjelle si pasojë shfuqizimin e Dekretit, gjë që në këto kushte që është juridikisht s’mund ta bëjë dot”, theksoi Lazaj.
Por në Shqipëri ekzistojnë precedentët e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, ku presidenti ka nxjerrë një datë të re. Më i fundit është dekreti i nxjerrë nga presidenti Bujar Nishani, ku pas marrëveshjes politike PS-PD, më saktë mes paktit të 17 majit ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës zgjedhjet u shtunë për një javë nga 18 qershori në 25 qershor 2017. Gjithashtu ky dekret u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga në parti politike, Forca Rinia, e cila kishte kundërshtuar këtë vendim të presidentit.
Kërkuesi, sipas vendimit të shpallur më 16 qershor 2017, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës si antikushtetues duke paraqitur këto pretendime: Dekreti i dytë i Presidentit të Republikës është antikushtetues, pasi Presidenti i Republikës e kishte ushtruar një herë këtë të drejtë, bazuar në nenin 8 dhe 9 të Kodit Zgjedhor dhe nuk kishte asnjë shkak kushtetues për ta ndryshuar atë, pavarësisht marrëveshjes politike midis partive.
“Data e re e zgjedhjeve e caktuar me dekretin e ri është antikushtetuese, pasi është tej afatit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Dekreti i Presidentit të Republikës ka cenuar parimin e sigurisë juridike, pasi ndryshoi pa asnjë shkak të ligjshëm një pritshmëri ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit. Kërkojmë pezullimin e efekteve të dekretit të Presidentit të Republikës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata, meqë koha është e shkurtër deri në datën e zgjedhjeve, pra në 25.06.2017”, ishin disa nga pretendimet e partisë “Forca Rinia”.
Çështja nuk u fut në seancë, pasi kështu vendosi kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga anëtarët Fatmir Hoxha, Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj. Por në arsyetimin e dhënë theksohej se dekreti i Presidentit për çështjen e zgjedhjeve nuk mund të ishte një akt administrativ dhe si i tillë rrëzohej.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Nishani
“Për sa i takon legjitimimit ratione materia, Kolegji vlerëson se Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenin 131 dhe 134 të Kushtetutës, merr në shqyrtim në shkallë të fundit kërkesat që drejtohet kundër akteve të pushtetit publik që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë. Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”, thuhej në relacionin e këtij vendimi.
Më tej theksohej se për sa i takon bazueshmërisë në themel të pretendimeve të kërkueses, Kolegji vlerëson se ajo nuk ka arritur të paraqesë argumente të nivelit kushtetues lidhur me antikushtetutshmërinë e dekretit dhe është ndalur vetëm tek antiligjshmëria e tij. “Konkretisht, kërkuesja ka paraqitur pretendime se dekreti i Presidentit të Republikës bie ndesh me Kodin Zgjedhor. Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”, shprehej kjo trupë e anëtarëve. Tre anëtarët vendosën njëzëri se kërkesa nuk i plotëson kriteret për të kaluar për shqyrtim në seancë plenare si për mungesë legjitimimi të kërkueses, ashtu edhe për mungesë të argumenteve të nivelit kushtetues sa i takon pretendimeve të paraqitura në kërkesë, duke mos e paraqitur në seancë për shqyrtim./Gazeta Si