Një program i madh ndërkombëtar do të vlerësojë gjendjen në Oqeanin Atlantik. Ekspertët që do të marrin pjesë në projekt janë shprehur se do jetë një ndër të më specifikët që janë kryer ndonjëherë në oqeanin e dytë më të madh në planet, duke përshirë më shumë se 30 ekspertë të financuar nga Bashkimi Europian dhe që po koordinohet nga Universiteti i Edinburgut.
Shkencëtarët po përdorin një sërë pajisjesh teknologjike, përfshirë edhe nëndetëse robotike, për të skanuar të gjithë oqeanin. Ata duan të vlerësojnë efektet e ndryshimeve klimaterike tek bimët dhe kafshët. Sipas tyre më anë të vëzhgimeve do të ndihmojnë qeveritë të vendosin së bashku se çfarë masash, duhet të ndërmarrin për një jetë të shëndetshme nënujore. Gjithashtu, ekspertët janë shprehur se do të nxjerrin në pah vendstrehimet ku mund të pozicionojnë speciet e kërcënuara.
Sipas Murray Roberts, pedagog në universitetin e Edinburgut dhe koordinator i programit, vëzhgimet e deritanishme tregojnë se oqeani Atlantik po vuan nga një sulm i trefishtë.
Roberts shprehet se të gjitha gjallesat në tokë, po vuajnë nga mungesa e oksigjenit, për shkak të ndotjes. Duke studiuar gjallesat nënujore, ekspertët shprehen paraprakisht se jeta nën Atlantik është shumë e bukur, por gjatë gjithë kohës është e rrezikuar për shkak të ngrohjes globale.
“Atlantikut po i mbaron oksigjeni,” shprehet Roberts.
Momentalisht ekipi është përqendruar në 12 zona të oqeanit. Në laboratorin e Edinburg, njëri prej ekspertëve Laurence De Clippele, tregon pamjet e shkëmbinjve koralore në Mingualy në Skoci. Ai gjithashtu ka transformuar të dhënat në harta 3D që të jenë më të qarta për publikun.
Gjatë vëzhgimeve ekspertët kanë treguar se janë të shqetësuar për rritjen e aciditetit në oqeanin Atlantik. Ata shprehen se nëse rritja do të vazhdojë në këtë ritëm, atëherë do të shkatërrohet e gjithë jeta nën ujore dhe fillimisht të shkëmbinjve koralor.
“Shkëmbinjtë koralor janë shumë të rëndësishëm sepse ato sigurojnë një shtëpi për shumë specie Ata mund të strehohen, të ushqehen aty, të riprodhohen atje” thotë De Clippele.
Projekti mendohet se do të zgjasë katër vjet, duke pasur në dispozicion shumën prej 10 milion eurosh që do të dedikohen për hulumtimet. Profesori Roberts thotë se ata do të shqyrtojnë të gjitha aspektet e jetës në kolonën e oqeanit.
“Ne do të shohim të gjitha gjallesat dhe bimët ujore, pasi me anë të këtyre vëzhgimeve do të kuptojmë se si ndryshon vazhdimisht jeta në botën nën ujore. Këto gjetje më pas do të na bëjnë të kuptojmë se në cilat shtete është më i rrezikuar eksositemi dhe kështu do të mund të punojmë me qeveritë e ndryshme për të stabilizuar jetën e gjallesave nën thellësinë e oqeanit,” shtoi ai./ Perktheu Gazeta Si nga BBC/