Nëse përshkallëzimi i krizës politike mes mazhorancës dhe opozitës dhe asaj juridike mes mazhorancës dhe Presidentit nuk do të marrë të tjera përmasa që mund të cenojnë stabilitetin e vendit, atëherë maksimumi në shtator vendi do të jetë me Gjykata Kushtetuese.
Trupa mund të mos jetë e plotë me 9 anëtarë, por numri do të jetë i mjaftueshëm për të plotësuar kuorimin e vendimmarrjeve. Aktualisht, vetëm Vitore Tusha është anëtare e kësaj gjykate, ndërkohë që pritet që brenda disa javëve asaj t’i bashkohen gjashtë emra të tjerë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nisi procesin e shqyrtimit të kandidaturave që kanë shfaqur interes për vendet vakante që në muajin prill. Në total janë rreth 50 emra që kanë kaluar në sitën e integritetit, aftësisë profesionale dhe justifikimit të pasurisë. Në bazë të këtyre elementëve, KED do të hartojë në fund dy lista emërore.
Sipas parashikimit të Kushtetutës, listat do t’i dorëzohen Presidentit të Republikës. Ky i fundit duhet të zgjedhje një nga kandidatët e renditur në krye të listave nga KED. Kjo procedurë pritet të ndodhë tre herë, aq sa janë edhe vendet vakante që duhet të plotësohen nga Presidenti i Republikës në trupën me 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta nuk lë asnjë shteg bllokimi të procesit nga ana e Presidentit. Ky i fundit duhet të shprehet brenda 30 ditëve duke përzgjedhur një emër. Nëse nuk e bën këtë, atëherë emri i renditur i pari në listë nga ana e KED emërohet automatikisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Të njëjtat parime ndiqen edhe në rastin e përzgjedhjes së kandidaturave nga ana e Kuvendit. KED dërgon një listë me kandidatët e renditur sipas meritës, Komisioni i Ligjeve i shqyrton dhe vendos organizimin e seancave dëgjimore me kandidatët dhe më pas i dërgon për miratim në seancën plenare kandidatë për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Kuvendi duhet të miratojë me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve, por ashtu si në rastin e Presidentit, edhe këtu, nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga KED, kandidati i renditur i pari konsiderohet i emëruar.
Deri kur të arrihet në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave nga ana e Presidentit dhe Parlamentit kërkon edhe pak kohë. Aktualisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në fazën e fundit të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve, të cilët u janë përgjigjur me shfaqje interesi thirrjeve të Presidencës dhe Kuvendit, duke aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Tre anëtarët e Kuvendit dhe tre të Presidencës i bashkangjiten anëtares aktuale, Vitore Tusha, e vetmja gjyqtare që i mbijetoi procesit të vettingut në Gjykatën Kushtetuese. Së bashku me Tushën, Gjykata Kushtetuese do të plotësohej me 7 anëtarë, ndërkohë që 2 anëtarë të tjerë do të duhet që të dalin nga Gjykata e Lartë, shkruan Gazeta SI. Kjo e fundit, aktualisht e ka të pamundur që ta realizojë këtë proces të ngarkuar nga Kushtetuta, pasi vetë është jashtë funksionit si pasojë e vettingut, e po ashtu thirrjeve të vazhdueshme për të kandiduar për në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë tërhequr emra.
Procesi ka dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve. Shpalljen e fundit Gjykata e Lartë e bëri në muajin prill dhe vetëm dy emra kanë shfaqur interes, po për dy vendet vakante, çka kushtëzon mundësinë e përzgjedhjes se kandidaturave më të mira./ Gazeta SI