Lulzim Basha, kryetari i PD-së, lajmëroi një dalje publike në ora 19:00, por zhvillimet e fundit lidhur me qëndrimet e SHBA-ve apo dhe të OSBE-së për zgjedhjet bënë që ai të shfaqej para medias me rreth një orë vonesë.
Deklarata e fortë e zv/ndihmës sekretarit të shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer se njihet 30 qershori si dita e zgjedhjeve, nuk i ka shkuar për shtat opozitës dhe për këtë kryedemokrati ka hedhur paralele me diplomatët e huaj, përfshirë edhe ato amerikanë që dilnin në krah të kryeministrit Edi Rama dhe pse siç u shrpeh ai Shqipëria ishte mbushur me kanabis.
“Natyrisht, Edi Rama ka ende mercenarë, shërbëtorë, interesaxhinj apo mbështetës naivë, që vazhdojnë ta mbështesin duke mbyllur sytë para bashkëpunimit të tij me krimin. Kishte të tillë në krah edhe në kohën kur e mbushi Shqipërinëme drogë dhe e kthyen në qendër europiane të krimit. Kishte prej tyre që e mbështesin, sepse mendojnë se shqiptarët janë të padenjë për demokraci, ndaj ju duhet një autokrat që t’i mbajë urtë. Edhe sot ka të tillë. Do të ketë të tillë edhe ditën që EdI Rama do të rrëzohet. Siç ka sot njerëz që ende duan Enverin apo siç kishte dikur nga ata që Donin Babën. Por ata nuk e mbajnë dot në pushtet Edi Ramën, sepse Edi Rama ka tradhëtuar popullin e tij. Ka tradhëtuar Shqipërinë. Edi Rama do të largohet, sepse ai nuk përfaqëson më interesat e shqiptarëve. Ai përfaqëson vetëm interesat e një grushti biznesmenësh grabitqarë, të një elite të korruptuar dhe të gurpve kriminale”, deklaroi kryedemokrati.
Basha më tej theksoi se Rama është në fund të rrugës së tij politike dhe do të jetë një fund i keq, por i denjë për një rrugëtim të bërë, më së shumti, në shoqërinë e kriminelëve.
“E ka bërë vetëm për një qëllim: për para dhe pushtet. Por paratë nuk do ta shpëtojnë më. Asnjë lloj pushteti nuk do ta mbrojë dot më. Edi Rama nuk do të mund të qendrojë dot në pushtet kundër interesit dhe vullnetit të popullit. Ata që mendojnë se populli do të mbajë një kriminel të kllounizuar dhe të diskredituar si Edi Rama, gabohen”, theksoi Basha.
Kryedemokrati në fillim të deklaratës së tij u ndal edhe te dekretimi i datës 13 tetor i firmosur nga presidenti Ilir Meta, duke zbuluar se qëndrimi i tij ka qenë kundër faktit që do të ketë proces zgjedhor pa u ndëshkuar më parë ata që realizuan krime zgjedhore.
“Sot Presidenti Meta ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Dua të ndaj me ju atë që i bëra të ditur Presidentit Meta në takimin e sotëm. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë proces zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që ne t’u kthehemi proceseve politike. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Në as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë. Tashmë ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën”, theksoi Basha.
Ndërsa shprehu zotimin se opozita do të bëjë gjithçka që “30 qërshori të hyjë në histori si dita fatale e pushtetit të Edi Ramës. Ju ftoj të gjithë që të keni besim te kauza jonë”. “Nëse ju nuk keni asnjë mundësi të vendosni, ato nuk janë zgjedhje. 30 qershori nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjen. 30 qershori nuk ka asnjë lidhje me njerëzit. 30 qershori nuk është dita e vullnetit të njerëzve! Është thjesht dita kur aleanca krim-qeveri mendon se do të forcojë pushtetin e saj. Por 30 qershori është dhe do të jetë nul. Ai do t’i japë goditje të rëndë psuhtetit të Edi Ramës dhe krimit. Ju ftoj të gjithëve të jeni të matur dhe të kini besim tek kauza jonë, tek forca jonë. Unë e di që shumë prej jush janë të revoltuar, shumë prej jush vuajnë direkt pasojat e regjimit kriminal të Edi Ramës. Juve dua t’ju them se me përpjekjet tona ne e kemi plagosur për vdekje regjimin e Edi Ramës. Shumë shpejt ky regjim do të mbarojë. Ne kemi treguar kurajë dhe forcë së bashku. Ne kemi treguar se e duam lirinë dhe demokracinë. Këtë do të tregojmë edhe më 30 qershor”, mbylli Basha qëndrimin e tij.