Ish-deputeti Agron Duka, i njohur për ndikimin e tij në zonën e Durrësit dhe Shijakut, thotë se nëse përgjimet për grupin e Avdylajve do të vijojnë, do të dalë edhe emri i kryeministrit Edi Rama.
“Unë këta të dy nuk i ndaj. Dako është kapur në përgjime. Jam i sigurt që nëse përgjimet do të vijojnë, lidhje dhe telefonata do të ketë edhe me zt. Rama. Nuk mundet kurrë që Dako të bënte veprime pa bekimin e Edi Ramës. S’ka se si! Nuk ka mundësi që të kenë pasur lidhje pa bekimin e shefit të madh. Kanë pasur aq shumë kontakte fizike, telefonike, verbale, Rama me Dakon, sa në një mënyrë apo në një tjetër, a ta merr mendja ty që të mendojë që ky nuk dinte gjë se ç’bënte vaki këtej. Nëse e mendon dot, them që është vetëm e Dakos. Ai i inkurajoi deri sa kjo punë mori dhenë, e do i dalë era dhe do të vazhdojë t’i dali akoma më shumë”, u shpreh Duka.
Teksa në përgjime përmendet në një moment edhe emri i tij nga Astrit Avdylaj, Agron Duka jep një koment edhe për këtë.
“Unë jam ndikuar negativisht. Për mua nuk ka qenë ndonjë surprizë. Në përgjime dallohet që unë jam kundërshtar i këtij krimi politik. Aty thuhet mos i thoni Gon Dukës që unë jam kundër. Sipas meje, duhet të ketë qenë ndonjë përkrahës i imi dhe do i jetë bërë ndonjë farë presioni, që duke qenë se ti je përkrahës i Gon Dukës të mos i thoni atij, për votën që do i japë PS. Besoj se konkurrenca është mes meje dhe kandidatit të PS (Ilir Drazhi”, sepse ishim të dy në një zonë të rrezikuar. E votat kanë shkuar për kandidatin që sot është deputet”, u shpreh Duka në Top Channel.
Për Agron Dukën, Durrësi përmendet vetëm pasi sot ka përgjime, por sipas tij ky fenomen është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ai shkon edhe më tej, duke “fshikulluar” edhe aleatët e tij të sotëm, se janë përkrahur nga njerëz me CV kriminale në zgjedhjet e kaluara.
“Dako së bashku me PS, u munduan që të gjejnë përkrahjen e të fortëve për të fituar zgjedhjet në 2013-ën. Avdylajt përmenden sot se janë kapur nga përgjimet, por kjo ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Kjo ishte ideja e Ramës për të marrë pushtetin me çdo lloj kushti. Sepse ai dhe shumë të tjerë kanë pasur bindjen se ka qenë e vështirë për ta mposhtur PD-në, sepse edhe PD-ja është përkrahur në shumicën e rasteve nga njerëz me të kaluar kriminale. Në zgjedhjet e kaluara, pavarësisht 2013-s, ku PD-ja për shumë arsye qe shumë më inaktive se sa këta. Rama e kaloi këtë lloj steke, jo vetëm që kërkoi përkrahjen e tyre, por kaloi edhe në një mbështetje simbiotike që duket qartazi nga përgjimet që edhe strukturat e shtetit përfshihen në këtë çështje”, tha Agron Duka në “Top Talk”.