Çdo javë dhjetëra shtetas shqiptarë dorëzohen në vendlindje në Aeroportin e Rinasit përmes avionëve “charter” kryesisht nga Anglia, Franca dhe Gjermania. Shumica e tyre janë azilkërkues, të cilëve u refuzohet azili në këto vende, ose të rinj që kanë abuzuar me leje-qëndrimin në vendet e Bashkimit Europian.
Të fundit që u deportuan ishin 83 shqiptarë të cilët u konstatuan me qëndrim të parregullt në Britaninë e Madhe dhe që pas intervistimit po hetohen në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm të kufirit. Sipas të dhënave të Prokurorisë, trendi i shqiptarëve që po hetohen për këtë vepër po njeh rritje katër vitet e fundit, pavarësisht se apeli i palës shqiptare është kokëfortë: nuk ka azil.
Historia
Por, në morinë e historive të atyre shqiptarëve që luajnë me kartën e azilit ekonomik, ose politik dhe që më pas kthehen me grupe në Tiranë për t’u shpërndarë më tej në vendbanimet përkatëse, është edhe historia e veçantë e një vajze 26-vjeçare. Ajo u deportua të dielën në orën 15:06 në Aeroportin e Rinasit.
Quhet Elona Radi dhe në kartelën e saj rezulton me arsim të mesëm dhe me qëndrim në kryeqytet. Ajo iu dorëzua policisë së Rinasit nga autoritetet zvicerane, në një kohë që familja e saj prej dy vitesh nuk dinte asgjë dhe ishte në kërkim të saj. Familja kishte denoncuar zhdukjen e Elonës pasi prej dy vitesh nuk kishte asnjë të dhënë për gjurmët e 26-vjeçares. Nga këqyrja e sistemit TIMS rezultonte se vajza ishte larguar në fillim të muajit janar 2017 përmes Aeroportit të Rinasit. Pas kërkimeve private, në dhjetor 2018 motra e saj Diana Lika është paraqitur para komisaiatit numër 3 në kryeqytet dhe ka deponuar se familja nuk dinte asgjë se ku gjendej Elona.
Ku ishte Elona?
Pas deportimit nga Zvicra, policia ka marrë në pyetje 26-vjeçaren. Pas dy orëve e reja ka treguar çfarë kishte ndodhur me jetën e saj. “Sapo mbërrita në Zvicër ka rrëfyer vajza, pak kohë më pas unë u arrestova nga autoritetet vendase në Gjenevë për kryerjen e një krimi dhe kjo gjykatë më dënoi me dy vite burgim. Më vinte turp të njoftoja familjen, ose t’ju tregoja se ku isha ndaj edhe nuk u bëra e gjallë”, ka rrëfyer vajza, e cila ka këmbëngulur se ishte larguar për një jetë më të mirë. Pas verifikimeve, policia ka konstatuar se Elona nuk kishte kryer asnjë vepër në vendin e saj ndaj edhe u la e lirë, për t’u kthyer pranë familjes, e cila në mënyrë të dëshpëruar s’ka rreshtur kërkimet prej 2017, atëherë kur ajo iku pa thënë se ku do të shkonte.
Për një jetë më të mirë…
Për një jetë më të mirë e la vajzën jashtë Shqipërisë edhe Andrea Riza, i moshës 50 vjeç nga fshati Vajmdhej i Dibrës. Vajza e tij quhet Klara dhe sot ka hyrë në 16-vjetorin e saj. Prokuroria shpjegon se i ati autorizoi të vëllain që ta shoqëronte jashtë Shqipërisë dhe me tej lëvizjet u kryen përmes pikës kufitare të Bllatës dhe pas daljes në Maqedoni, e mitura nuk u kthye më pranë familjes. Vajza vazhdoi udhëtimin drejt Anglisë, ku edhe nisi një jetë të re. Për këtë shkak i ati, i cili kishte lëshuar akt noterial në Dibër për të vëllain është dërguar nën gjykim për veprën e braktisjes së fëmijës.
Çfarë ndodh me të deportuarit
Nikolla Azisolli është nga Fshati Moravë. Është i moshës 36 vjeç. Ai u deportua nga autoritetet franceze përmes një “charteri” të linjës Lille-Rinas. Motivi që shoqëronte kthimin e tij ishte pasi “u kap në tentativë për të kaluar drejt Anglisë nëpërmjet një kamioni”. Për të tashmë kanë nisur hetimet nga prokuroria e Beratit pas referimit të policisë së Rinasit, atje ku ai ka vendbanimin. Dyshohet, thotë prokuroria, se 36-vjeçari ka udhëtuar në mënyrë ilegale, duke iu shmangur kalimit kufitar dhe diçka e tillë mbështetet edhe nga këqyrja e sistemit TIMS në të cilin ai nuk rezulton të jetë shënuar duke dalë nga Shqipëria.
Nga kontrollet, thotë një burim hetimor, rezulton se Azisolli për herë të fundit ka udhëtuar jashtë vendit në muajin gusht 2018, me destinacion Italinë dhe më tej sistemi TIMS tregon se është kthyer një muaj më vonë nga Aeroporti i Rinasit. Ka dyshime se i riu ka tentuar të punojë në mënyrë ilegale edhe në Itali, ashtu siç edhe veprojnë qindra të rinj, apo edhe të moshuar që largohen tre muaj në vit jashtë Shqipërisë për të gjetur një punë e për të siguruar të ardhura në të zezë. Por ky detaj nuk është aspak në fokus të hetimeve të prokurorisë për Nikollën. Ajo për të cilën ai hetohet është tentativa e tij për t’u larguar drejt Anglisë dhe me kamion. I riu nuk ka pranuar të japë asnjë detaj se si e gjeti rrjetin që do t’i siguronte udhëtimin, por ka pohuar “dua një jetë më të mirë”.
Edhe Mufit Xhoka, 26 vjeç sapo zbriti në Rinas e priste një furgon policor që e shoqëroi drejt komisariatit ku e prisnin intervistat policore. Kush e ndihmoi? Ku do të udhëtonte? Ai është nga fshati Fushë-Aliaj dhe pavarësisht se u përpoq të ndihmonte familjen me bagëtitë, fshati nuk i ofronte asnjë premisë për të ardhmen. Iku nga Shqipëria derisa një ditë të ftohtë janari e kthyen mbrapsht me shumë të tjerë si ai.
Sistemi TIMS, thotë një përfaqësues i prokurorisë, tregon se i riu ka dalë dhe është kthyer në vendin e tij në tetor 2016 dhe më pas nuk rezulton asnjë dalje. Por e vërteta rezultoi krejt tjetër. Ai u deportua nga Anglia , pasi ishte me qëndrim të parregullt në këtë shtet. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime Mufiti ka pranuar se e ka kaluar kufirin përmes Bllatës në mënyrë ilegale në mars 2017. Udhëtova më pas në Maqedoni, ka shpjeguar i riu, e më pas ia dola mbanë të mbërrija në Angli.
Pas një viti në këtë vend u kap nga anglezët gjatë një hetimi ndaj disa shqiptarëve që përdornin të rinj me qëndrim të parregullt për të kultivuar drogë nëpër banesa. Mufiti u arrestua dhe pasi vuajti 3 muaj burgim u deportua në Shqipëri, ku edhe gjendet nën hetim si qindra të tjerë për veprën e kalimit të paligjshëm të kufirit. /Marrë nga Gazeta Si