Popullsia e Shqipërisë po pakësohet çdo vit. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në 1 Janar 2019, popullsia rezultoi 2.86 milionë banorë, duke pësuar rënie prej 0,3 %, krahasuar me një vit më parë. INSTAT bën të ditur se gjatë vitit 2018, kanë lindur rreth 29 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 22 mijë persona.
“Numri i lindjeve vazhdon të tejkalojë numrin e vdekjeve, pavarësisht se diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve. Kjo diferencë në vitin 2018 është rreth 7 mijë banorë”, theksohet në raportin “Shqipëria në shifra”.
Nga ana tjetër, migracioni neto vazhdon të mbetet negativ (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), duke rezultuar rreth 15 mijë persona për vitin 2018. Të moshuarit në Shqipëri paraqesin nga viti në vit një tendencë në rritje.
Në 1 Janar 2019, grupmosha 60-79 vjeç zë 17.7 % nga 17.1 % të totalit të popullsisë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tendencë në rritje shfaq edhe grupmosha mbi 80 vjeç.
Një tendencë e kundërt vihet re tek të rinjtë. Grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë 17.2 % në 1 Janar të vitit 2019, krahasuar me 17.7 % që zinte një vit më parë. “Ulja e numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të të moshuarve, pra plakja e popullsisë vjen si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë”, konstaton INSTAT-i.
Qytetet që po boshatisen
Tkurrja e popullsisë ka çuar edhe në “boshatisjen” e disa zonave të vendit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në 1 janar të këtij viti, Qarku i Tiranës zinte 31.3 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Fieri (10,3 %), Durrësi (10,1 %) dhe Elbasani (9,6 %). Vetëm 3 qarqe pësuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2018-2019, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora.
Të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë gjatë periudhës 2018-2019 dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejtuar në qendrat urbane, kryesisht në Tiranë si dhe në Durrës e Vlorë.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në 1 Janar 2019, qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë, duke zënë 2.1 % të popullsisë gjithsej, i ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili zë 2.7 % të saj.