Nga Mark Marku
Ende nuk janë fshirë nga kujtesa skenat tronditëse, kur Policia e Shtetit iu sul banorëve të Bregut të Lumit, që kishin dalë për të penguar shembjen e shtëpive të tyre nga fadromat e Policisë Bashkiake. Të gjithë e panë se si një ushtri e tërë, me policë dhe forca speciale, i masakruan ca qytetarë të mjerë mu përpara fëmijëve të tyre, që po atë natë përveçse pa strehë, u gdhinë edhe me prindër të rrahur e të përgjakur.
Deklaratat zyrtare të Policisë e justifikuan dhunën me zbatimin e ligjit, por nuk e di se në cilin vend e parashikon ligji ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve. Shteti dhe Policia e Shtetit e shkel sa herë të dojë ligjin në emër të ligjit.
Gjykatat dhe prokuroria nuk reagojnë, Avokati i Popullit hesht, organizatat që mbrojnë të drejtat e qytetarëve kanë zhytur kokën në thesin e tagjisë së qeverisë dhe që andej as shohin, as dëgjojnë, as reagojnë, ndërkohë që qeveria shton dhunën ndaj qytetarëve. Kjo është pamja e parë. Që po bëhet e përditshme.
Edhe pse shteti dhe Policia e tij nuk ishte ku duhej të ishte për të shmangur ngjarjen e rëndë, nuk mungoi të shfaqej në ekranet televizive me fytyrën e ministres rishtare Balluku, duke fajësuar kinezët se nuk kanë marrë masa për sigurinë e aeroportit. Nuk e dinim që Policia e Shtetit varej nga kinezët.
Nuk e dinim që siguria jonë kombëtare qenka në dorë të kinezëve. Sipas ministres Balluku, duhet të kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të qeverisë kineze për ngjarjen e rëndë. Me sa dimë, kompania kineze u bë përgjegjëse edhe për grabitjen e mëparshme në këtë aeroport. Atëherë, çfarë bëri shteti shqiptar pas ndodhisë së parë? Pse nuk e zgjidhi problemin e sigurisë me kinezët dhe pse nuk u mor asnjë masë?
Asgjë nuk e fsheh të vërtetën e madhe se shteti dhe Policia e Shtetit kanë dështuar me rendin dhe sigurinë dhe se madje, pikërisht shteti dhe Policia e Shtetit, janë kërcënimi më i madh për sigurinë dhe jetën e shqiptarëve.
Krimi i organizuar është shumë, shumë më i fuqishëm se shteti dhe Policia e tij dhe se ajo, në rastin më të mirë, është krejt e paaftë para tij dhe në rastin më të keq është tentakulë e krimit të organizuar.
Shteti ka rënë dhe qeveria ka dështuar, ndërkohë që Policia është zënë me rrahjen e qytetarëve të mjerë dhe mbrojtjen me gaz e tela me gjemba të asaj çka ka mbetur nga shteti shqiptar: godinat qytetare. Ajo është shndërruar thjesht në polici e ruajtjes së objekteve qeveritare.