Agron Tufa, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka qenë sot në “A Show” në News24 për të folur për debatin e fundit në distancë mes tij dhe deputetit Spartak Braho pas raportit të këtij institucioni dorëzuar në Kuvend.
Ai e quajti reagimin e Brahos në Kuvend një ligjërim anormal, të një njeriu me shëndet mendor të diskutueshëm, të mbushur me shpifje e kërcënime.
Nuk të duket e çuditshme që herë pas here bëhesh i famshëm në mënyrë brutale dhe jo për profesionin tënd bazë. Kjo e fundit nuk ishte ca e tepërt?
Si çdo gjë krejt e tepër por është bërë traditë sa herë vjen marsi dhe fillimi i prillit dalin përplasje shumë të forta sapo sjell para publikut pjesë të të vërtetave të varrosura. Reagimi psikopatologjik ka të bëjë më pamundësinë për të pranuar të vërtetat e mbyllura hermetikisht që nuk duhen cenuar. Por unë i cenoj sepse tabu s’ka.
Ti sot je ndjerë i braktisur nga njësi, individë, grupe që do duhet të kishin mbrojtur dhe je deri aty sa të duash të kërkosh ndihmën e përfaqësive diplomatike në Shqipëri.
Po. Sot për fat të keq, përjashto gjithë ata miq me mbrojtjen e nxehtë, me letrat e pafundme në inbox apo në faqet e ndryshme ku zhvillohen diskurset rreth kësaj teme të neandertalëve të komunizmit të sotëm, i gjendur përballë akuzave, kërcënimeve e patosit fashistoid më kanë ofruar shumë njerëz kurajë, mbrojtjen, madje të gjitha llojet e mbrojtjes por kurrë në asnjë rast nuk dëgjova të reagonin institucionet e shtetit dhe shoqërisë civile.
Heshtje, heshtje e cila mbase nuk do ta doja sepse ajo luftë që po bëj me skalionet e zeza më famëkeqe të sigurimit të shtetit, ata që i kanë bërë dhe i kanë zhytur duart deri në bërryla në gjak dhe në krime, nuk është një ndeshje që e bëj për familjen time si person privat por është ndeshje dhe përplasja e pakompromis e një qytetari të ndërgjegjshëm që nuk pranon që në lartësitë e vitit 2012 dhe në kulmin e axhendës sonë për në familjen europiane të shkojmë bashkë me njerëz që kanë bërë krimet në komunizëm. Unë ndihem i braktisur. Kush më mbron mua kur po sulmohen që nga foltorja e parlamentit dhe në forma të tjera.
Instituti çdo vit del me një material të rëndësishëm studimor të bazuar mbi fakte, dokumentare të pakundërshtueshme në formën e një dokumenti të rëndësishëm me shumë faqe, i çohet parlamentit të Shqipërisë në komisionin e ligjeve. Atje punon zoti Spartak Braho, deputeti i Kuvendit i cili me sa duket ka lexuar një pjesë, një fragment. Ma shpjegon si nis sensibiliteti i zotit Braho?
Ne paraqitëm si çdo vit raportin vjetor në komisionin e ligjeve, patëm përkrahjen e anëtarëve të komisionit, lëvdata. Gjithmonë kemi pas komplimente, përgëzime për punën e madhe me një staf të vogël por heroik, dolëm të kënaqur.
Morën përsipër të na zgjidhnin disa nga problemet e trashëguara e të pazgjidhura dhe pas një jave mblidhet komisioni për të miratuar rezolutën dhe më dërgohet një video live se si deputeti Spartak Braho thoshte gjëra e para krejtësisht të gënjeshtërta. Një ligjërim anormal, të një njeriu me shëndet mendor të diskutueshëm, duke akuzuar, shpifur, kërcënuar për shkarkim.
Emri i zotit Braho figuronte në një nga kapitujt e raportit të fundit?
Emri i tij jo, por të sojit të tij figuronte. Një kapitull i tërë fliste për tejngopjen në institucionet tona, në administratën politike publike, institucionet e varura e pavarura me njerëz të sigurimit të shtetit.
Një raport që është për alarmin më të madh. Këtë shtet pra, po na e drejtojnë sigurimsat. Të cilët kanë qenë policia politike përndjekëse që ka ushtruar terror, burgime, vrasje deri në gjenocid ndaj popullatës shqiptare dhe sot kanë vendin në institucionet demokratike.
Ka pasur një perceptim që vjen një parti e majtë, që ish-eksponentë të sigurimit të shtetit kanë jo vetëm një rivlerësim individual, njerëzor por edhe kanë marrë pozicione të rëndësishme. Në sekondën që ky perceptim bëhet i zëshëm, me të drejtë është thënë që juve ju punon mendja në të njëjtin hall, Shqipëria ka evoluar, çfarë t’i bëjmë atyre, t’i lëmë duke vdekur, nuk mund shkojmë në Europë duke urryer, ne kemi falur, ose ngjarja nuk po ndodh. Ky perceptim që ka ekzistuar në Shqipëri, për rikthim individual, në numra, të njerëzve që kanë punuar në Sigurimin e Shtetit është i saktë?
Është shumë i saktë. Ndonëse nuk duan t’i përgjigjen kërkesës për informacion të bazuar në ligj, institucionet tona janë plot me ish-sigurimsa. SHISH, policia e Shtetit. Unë kam numëruar 519 sigurimsa në Policinë e Shtetit.
Pavarësisht se në përgjigjen e tyre ndaj kërkesës sonë refuzojnë të përgjigjen. Ka disa institucione të tjera, në varësi të Kryeministrit kanë informuar për sigurimsat e tyre në administratë.
Nuk mund të abstragosh dhe të thuash nuk japim informacion për arsye sensitive, unë kërkoj diplomën e shkollës së lartë të Ministrisë së Brendshme, profili sigurim. Dihet ku kanë punuar. Ata nuk e kanë vendin në institucionet e sotme. Është një shoqëri demokratike dhe përderisa ligji e përcakton sigurimin si një polici politike…
Po të hapeshin këto bëma do lemeriseshin gurë e drurë. Sigurimi i shtetit mbrohet shtetërisht. Nuk mund të hyjmë në BE me një aradhë të gjatë prej qindra e qindra sigurimsash, një pjesë e madhe e tyre kanë bërë krime. (BalkanWeb)