Protesta e rradhës e opozitës do të zhvillohet ditën e nesërme. Një ftesë për qytetarët ka ardhur edhe nga ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, në një konference për mediat.
Ndërsa ka akuzuar qeverinë për qeverisje të gabuzr ai ka ftuar sërish qytetarët që të marrin pjesën në protestën e ditës së nesërme para Kuvendit.
“Përfundimisht asnjë shqiptar sot nuk ka as më të voglin dyshim se cila është qeverisja e vendit, se si është kapur prej fyti qeverisja e vendit, se si telekomandohet qeverisja e vendit nga krimi i organizuar dhe nga trafikantët dhe se si nuk ka asnjë mundësi që kjo qeverisje të shpëtojë nga kjo lidhje, nga kjo kapje pa kthim.
Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një shërim shoqëria shqiptare, ka vetëm një dritë shumë të fortë në fund të tunelit dhe kjo është pikërisht protesta mbarë popullore.
Sërish do të jemi përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili në vend që të jetë Kuvendi i popullit është kthyer në Kuvendin e kuislingëve dhe kusarëve, për të treguar edhe një herë që shqiptarët refuzojnë në mënyrë të prerë dhe nuk do pranojnë kurrë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për familjarët e tyre, pra nuk do të pranojnë kurrë të qeverisen nga një qeverisje e kapur e cila i ka tradhtuar plotësisht dhe tërësisht qytetarët, duke i grabitur, duke i plaçkitur, duke dashur dhe ti dhunojë ata”- është shprehur ai.
Vasili shtoi se asnjë qytetar nuk trembet nga kjo qeveri dhe pikërisht është dhe do të jetë në sheshe sepse do të çlirohet një herë e përgjithmonë prej tyre.
“Edhe një herë faktet tronditëse të cilat janë në duart e qytetarëve, audiot e përgjimeve, ku policia tërhiqet për veshi, për gryke nga kriminelët të cilët e keqtrajtojnë, i dhunojnë dhe njëkohësisht paguhen prej saj, janë fakte të cilat do të mbeten të pashlyera në memorien e shqiptarëve, ato do të marrin shpagimin vetëm me protestën e madhe mbarë popullore, e cila çliron njëherë e përgjithmonë Shqipërinë dhe vendos një standard të ri shumë të lartë qeverisës, të qeverisjes së pa kapur dhe drejtësisë së pa kapur, të asaj drejtësie që nuk fle para dosjeve, të asaj drejtësie që mbyll çështjet e tmerrshme që janë në ngarkim të kryeministrit shqiptar dhe është e gatshme të dënojë qytetarin e thjeshtë, pra drejtësi dyfishe, mbrojtje për kusarët e qeverisë dhe ndëshkim për qytetarët e thjeshtë, pikërisht për të mos lejuar një standard të tillë, të lig, të poshtër, apolitik, antishoqëror.
Shqiptarët vazhdojnë dhe do të jenë pa u lodhur në protestë, deri në çlirimin e vendit nga kapja dhe kriminalizimi, pra të gjithë së bashku ta ndryshojmë Shqipërinë dhe ta shpëtojmë Shqipërinë sot për ta kthyer përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve”, përfundoi ai.