Sot në Kuvend deputetja e përjashtuar e PD-së, Rudina Hajdari ka folur për herë të parë në foltoren e parlamentit pas vendimit për mosdjegien e mandatit.
Ajo u shpreh e sigurt se është në politikë për të bërë hapa të sigurt larg politikës së vjetër, siç tha ajo dhe se askush nuk mund ta gjykonte për vendimet e marra.
Nga foltorja ajo u shpreh se kishte zgjedhur që të qëndronte në Parlament në mënyrë që të sillte një frymë të re në politikën shqiptare duke mbajtur përgjegjësi të plotë ndaj votuesve të saj.
“Askush nuk mund ta gjykojë vendimin tim, vetëm historia. Do të vij me propozime konkrete dhe të ndryshme për vendin. Unë qëndrova se dua të sjell një model të ri politike, një frymë parlamentare që do t’i japë fund tranzicionit në Shqipëri,”-tha gjatë fjalës së saj Hajdari.
Fjala e plotë e Rudina Hajdarit:
Në mënyrë të heshtur protesta e studentëve rrezikoi elitën politike, ndaj u munduan ta merrnin kauzën për qëllimet e tyre. Kjo elitë doli zbuluar në qëllimet e saj. Në veri dhe në jug protesta shkaktoi metarmorfozë politike. Politika 28 vjeçare nuk është vetëm model qeverisjeje, por një model i urryer, nuk do t’ja dijë për largimin masiv të qytetarëve dhe duhet të marrë fund. Kjo politikë e mbrapsht e ekstremiteteve e ushqyer nga korrupsioni na ka marrë frymën. Nuk është hera e parë që ekstremiteti politik kërcënon stabilitetin e vendit. Marrëveshjet e fshehta kanë sjellë që për tre dekada me radhë të kishim thirrjen: Duam Shqipërinë nga Europa. Unë u rrita me këtë thirrje. Ramiz Alia tha: Doni pluralizëm partiak apo të mendimit. Dorëzimi i mandatëve në bllok nuk është gjë tjetër veçse ripërsjeritje e krizave politike. Ne duhet të jemi shembull dhe mos të lejojmë të bëhemi shembull i të keqes.
Mosluftimi i krimit të organizuar, abuzimi me fëmijët, vrasjet në qendrat e qyteteteve. Kjo qeveri nuk pranon gjendjen e mjerushme ku ndodhemi. Jam e bindur që kjo qeveri nuk do t’ja dijë as për mbështetësit e saj.
Ky model i ushqyer nga pandëshkueshmëria dhe papërgjeshmëria na solli këtu. Dorëzimi i mandateve me qëllim përshpejtimin e ardhjes në pushtet është përshkallëzimi i sjelljes së këtyre 28 viteve, përsëritja sidomos në prag të negociatave, jo vetëm ngadalëson procesin e integrimit, por edhe na ekspozon ndaj influencave të tjera.
Kjo qeveri e dalë vetëm nga 23 për qind e shqiptarëve nuk do t’ja dijë më për asgjë. Këtë e tregon qartë edhe raporti i fundit i DASH. Qeveria nuk mund të fshihet pas gishtit për të shmangur përgjegjësitë e veta në këtë situatë. Unë sot jam përgjegjëse përpara votuesve të mi, përpara atyre që më kanë votuar dhe përpara atyre që nuk më kanë votuar. Askush nuk mund ta gjykojë vendimin tim, vetëm historia, prandaj do të bëjë sipas bindejve të mia në shërbim të së ardhmes së vendit. Do të vij me propozime konkrete dhe të ndryshme për vendin. Unë qëndrova se dua të sjell një model të ri politike, një frymë parlamentare që do t’i japë fund tranzicionit në Shqipëri.
Vajza e liderit historik të PD-së, Azem Hajdarit nuk iu bashkua aksionit të opozitës për djegien e mandateve. Ndryshe nga Rudina vepron vëllai i saj Kiri, i cili është në çdo protestë krah kreut të PD-së, Lulzim Bashës. Situata në familjen Hajdari është kthyer padyshim në një temë debati publik. Thashethemet në media dhe korridoret e politikës sqarojnë se shkak për këtë është bërë presioni i madh i ndërkombëtarëve, pasi gruaja e Hajdarit, Fatmira Hajdari është gjyqtare dhe rrezikon shkarkimin nga Vettingu. Ndërkohë, Rudina Hajdari ka thënë se vendimi lidhet me marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët, SHBA dhe BE.