Atë mund ta gjesh përditë rrugëve të kryeqytetit, duke lypur apo duke kontrolluar kazanëve të mbeturinave për t’u siguruar bukën e gojës fëmijëve. Ajo që 15 vite më parë, nisi si një martesë e lumtur mes dy të rinjsh, përfundoi një makth, që vetëm divorci mund ta zgjidhte.
Sot ajo është 34 vjeç e në një rrëfim për ‘Gazeta Shqiptare’, nëna e 4 vajzave të mitura tregon dramën e jetës së saj e kalvarin e gjatë të vuajtjeve që ka kaluar. Gruaja me inicialet S. M. rrëfen se ish-bashkëshorti e ka dhunuar në forma nga më të ndryshmet, madje i ka thyer dhëmbët dhe e ka goditur me tullë në kokë. Gjithçka që ajo kërkon është një dhomë që mos të paguajë qiranë e shtëpisë dhe një punë që të mund të sigurojë jetën e vajzave të saj.
Sa vjeç jeni dhe sa fëmijë keni?
Quhem S. M. e jam 34 vjeçe. Kur kam qenë 19 vjeç jam martuar me njeriun që e doja aq shumë, pas një viti kam sjellë në jetë fëmijën e parë, vajzën e madhe që sot është 14 vjeç. Gjithashtu, kam edhe 3 vajza të tjera, 6, 5 dhe 3 vjeç.
Po bashkëshorti juaj ku ndodhet?
Në korrik të 2018-ës jam divorcuar përfundimisht me bashkëshortin, dhe që atëherë jetoj në një shtëpi me qira së bashku me vajzat.
Si ishte martesa juaj më parë?
Në vitet e para të martesës, kalonim mirë, punonim që të dy. Pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, arrinim që së bashku të siguronim bukën për vajzat e përpiqeshim që të mos u mungonte asgjë. Jetonim në Yzberisht, por shtëpi ishte e vjetër dhe u rrënua, sepse ishte ndërtuar me baltë. Pas kësaj u transferuam në një barakë dhe aty nisën gjithë problemet.
Çfarë iu shtyu drejt divorcit?
Para dy vitesh bashkëshorti filloi të pinte shumë alkool, nuk punonte më dhe rrinte i dehur gjithë kohën. I ndikuar edhe nga pija, filloi dhunën jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj fëmijëve. Përveç gjendjes së mjerueshme ekonomike, arsyeja kryesore e ndarjes sonë ishte dhuna që u bë e padurueshme.
Nuk mund të jetojë një njeri me frikë kur shikon burrin që hyn te dera. Kisha frikë për veten, por më shumë kisha frikë për fëmijët. Nuk e shikoja dot kur vinte dorë mbi vajzat, më dhimbte shpirti. Përpiqesha që ta ndaloja, por më rrihte edhe mua, na godiste me çfarë të kishte në dorë.
Unë u mundova shumë që ai të kthehej si më parë, por nuk bëri asnjë tentativë për të ndryshuar. Kështu që rruga e vetme ngeli divorci.
Cilat ishin disa nga format e dhunës që ish-bashkëshorti ushtronte ndaj jush?
Përveç se më godiste me shpulla e grushta, arriti deri aty sa më theu edhe dhëmbët. Madje ka patur një rast që më ka goditur edhe me tullë në kokë. Pas goditjes përfundova në spital. Isha shumë e tronditur! Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë që të përfundoja në spital nga dhuna e njeriut që doja aq shumë.
Në ato momente ndihesha si njeri pa njeri, krejtësisht e braktisur, torturat ma kishin bërë jetën ferr. Madje pas kësaj, një ditë, tentova të vras veten me bar miu. Nuk po duroja dot më, nuk arrita as të mendoja. Edhe pse më erdhi keq për vajzat që do i lija jetime, piva ilaçet.
Nuk mbaj mend më tej, por di që më gjeti nëna ime dhe më dërgoi në spital. Arrita të shpëtoja në kohë. Aty erdhi dhe policia, bëri verifikimet e nevojshme, dhe më pas shkova në rajon e bëra denoncimin për burrin për shkak të dhunës. Mora urdhër mbrojtjeje.
Pasi morët urdhër mbrojtjeje, ku shkuat për të jetuar?
Pasi mora urdhrin e mbrojtjes, mora vajzat e shkova të jetoja te shtëpia e nënës sime, edhe pse ajo është shumë keq ekonomikisht e iu bëra barrë. Por ish-bashkëshorti prapë erdhi aty e madje më mori me dhunë sërish për te baraka. Arrita të shpëtoja në momentin që ai ra në burg për armëmbajtje pa leje. Kur doli nga burgu, procedurat e divorcit ishin drejt fundit dhe nuk tentoi më të më dhunonte.
Si është jetesa jote pas divorcit? A merr ndonjë ndihmë nga shteti?
Jam më e qetë, sepse kemi shpëtuar nga druri. Por gjendja ekonomike është e mjerueshme. Nga shteti marr vetëm 60 mijë lekë të vjetra, në një kohë që 80 mijë kam qiranë e shtëpisë, pasi u largova nga shtëpia e nënës, nuk më mbante dot.
Tani më duhet të dal të lyp, ose të kontrolloj nëpër kazanët e plehrave me shpresë se gjej ndonjë kanaçe ose rroba që i marr i shes me çmim të lirë. Vajzat e mia hanë bukë thatë të lagur me ujë e sheqer, e në rastet më të mira iu jap ndonjë pjatë makarona ose oriz. Madje një nga vajzat, atë që është 5 vjeç e kam lënë në jetimore në Sauk.
Pse e latë në jetimore një nga vajzat?
Shpirti më dhemb, por nuk e mbaj dot, s’kam si ta mbaj, ca ti jap për të ngrënë, të paktën aty e mbush barkun me bukë. E kam lënë kur kam qenë ende me burrin. Shkoj e takoj çdo fundjavë, e nuk i çoj dot një çokollatë. Ajo më shikon, qan e më lutet që ta marr të shtëpia bashkë me motrat e saj.
Çfarë do të doje ndryshe në jetën tënde?
Kërkoj vetëm një dhomë që mos paguaj qiranë, e një punë, asgjë më shumë. Të rriten edhe vajzat e mia si gjithë të tjerët, se boll kanë parë vuajtje në moshë të vogël. Të kem mundësi t’u jap për të ngrënë, t’iu blej rroba e çanta për shkollë, mos ndihen keq para shoqeve.
Nëse do të kem punën, do të marr edhe vajzën 5 vjeçare që kam lënë në jetimore, s’mund ta lej më aty. Ju lutem të gjithëve, kush ka mundësi të më ndihmojë sadopak e të vejë dorën në zemër për ato vajza. /Gsh.al/