Dr. Luan Myrtaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, u shpreh se ‘Pakti për Universitetin’ i propozuar nga kryeministri Edi Rama në protestat studentore, ka zgjidhur vetëm çështjen e përgjysmimit të tarifave, duke bërë që problemet parësore të Arsimit të Lartë të jene ende aty.
Sipas pedagogut të Universiteti Politeknik, një ndër problemet me të ndjeshme në universitetet shqiptare, është plagjiatura. “Paktin për Universitetin’ e shoh si shumë zgjidhje të tjera që politika e tranzicionit të pafund shqiptar i ka dhënë sa për të dalë nga situata.
Disa prej çështjeve të paraqitura në të janë dublim i kompetencave të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Rasti i plagjiaturave është një prej tyre. Ka një sërë denoncimesh si zyrtare dhe publike të plagjiaturave, hetimi i të cilave nuk kërkon as teknologji dhe as kohë pasi janë thjesht kopje e punës së tjetrit.
Në këtë rast mosveprimi nuk justifikohet dhe mbi të gjitha, përbën vepër penale. Vepër penale si për personin që ka kryer plagjiaturën, por dhe për personat përgjegjës që nuk zbatojnë ligjet për ndëshkimin e fenomenit.“ Neni 148, Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001), Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, citon ai.
Rikthimi në auditorë me të njëjtat probleme
Myrtaj thotë se rikthimi në auditorë i përball studentët me të njëjtat probleme, si para protestës. Sipas tij, e vetmja gjë që ka ndryshuar, është marrëdhënia student-pedagog, por problemet parësore të fakulteteve mbeten ende të njëjta.
“Më së shumti janë me të njëjtat probleme si para protestës. Por ka dhe njëfarë ç’tensionimi të marrëdhënies pedagog-student. Studentët janë më të drejtpërdrejtë dhe më të çlirët për të shprehur mendimet e tyre. Por në thelb nuk ka ndryshuar ndonjë gjë kur bëhet fjalë për zgjidhjet e problemeve parësore që ka Arsimi i Lartë”, bën me dije ai.
Po ashtu, sa i takon plotësimit të kërkesave, Myrtaj thotë se e vetmja gjë që të rinjtë përfituan nga gjithçka që ndodhi, ishte përgjysmimi i tarifës. “Të vetmet përfitime që unë di janë reduktimi i tarifës për sistemin Bachelor dhe dhënia e bursës për studentët me mesatare 9.00 e sipër.
Por universiteti prodhon dije dhe këto lehtësira nuk ndikojnë në rritjen e cilësisë në arsim. Megjithatë mund të quhet një premtim i mbajtur pavarësisht se nuk është ajo çka kërkuan studentët në protestën e dhjetorit”, thotë ai.
Mungesa e cilësisë në Arsimin e Lartë
Një çështje në të cilën ndalet pedagogu, është edhe cilësia në arsim. Sipas tij janë dy faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në një arsim më të mirë.
“Cilësia në arsim, ka dy aspekte: 1- Anën financiare e cila nuk mund të përmbushet menjëherë, pasi do të kërkonte mbulimin e investimeve të munguara për tre dekada, dhe 2- rritja e cilësisë të stafit akademik të personelit të IAL-ve dhe gjithë zinxhirit qeverisës dhe politikëbërës në fushën e arsimit.
Nëse pika e parë lidhet dhe me pamundësinë financiare, pika e dytë është vullnet politik dhe përgjegjshmëri në zbatimin e ligjeve të shtetit dhe statutit apo rregulloreve të brendshme të universitetit. Deri më sot asnjë titullar nuk është përgjigjur para ligjit për shkeljet flagrante që ndodhin në IAL”, thotë ai.
Rrëzimi i Ligjit për Arsimin e Lartë
Një nga kërkesat e artikuluara gjatë protestave studentore, ka qenë edhe rrëzimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Z. Myrtaj thotë se problemi më i madhe është moszbatimi dhe keqinterpretimi. “Në kushtet e sotme politike që janë përtej funksionit të një shteti normal demokratik, rrëzimi i çfarëdo ligji duket mision i dështuar që në nisje.
Megjithëse, që të rrëzohet një ligj, më parë duhet të jetë gati ligji i ri. Ligji i ri ka problematika për kushtet ku ndodhet arsimi i lartë, por shumica e problemeve vijnë si pasojë e moszbatimit ose keqinterpretimit të tij”, nënvizon ai. Kujtojmë që studentët protestuan për rreth dy muaj, duke kërkuar plotësimin e 9 pikave, ku mes të tjerave ishte edhe rrëzimi i ligjit.
Ata shpërthyen ndaj qeverisë dhe MASR, duke e cilësuar si të paaftë për zgjidhjen e kërkesave, të cilësuara si imediate prej tyre. Një pikë në të cilën studentët u ndalën ishte edhe mos pranimi i dialogut me kryeministrin Rama.
Po ashtu në mënyrë të vazhdueshme edhe pas rikthimit në auditorë, ata ende nuk e kanë pranuar ‘Paktin për Universitetin’, të cilësuar si një zgjidhje e cila prishi protestën e tyre dhe ku deri më tani, shumë pika ende nuk kanë marrë zgjidhje në realizim.
8 kërkesat e studentëve
- Rritje e buxhetit në 5% GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës ( Universitetet/Konvikte).
- 2. Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit , Sportit, dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
- 3. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve në senatin akademik.
- 4. Rishikim i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
- 5. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentor, Ligji i Arsimit të Lartë, pika 2, kërkojmë që Bordi i Administrimit të ILA-ve të ketë numër të barbarët votash si nga MASR dhe ILA-të, si dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
- 6. Pajisjen e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse).
- 7. Ndërtimi i bibliotekave me standarde Evropiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe. 8. Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij online dhe regjistrimi i leksioneve”.
Nga ana tjetër, ka një mosmarrëveshje për kërkesat pasi ‘Lëvizja për Universitetin’ ka deklaruar se këto këshilla studentore, janë me anëtarë të forumeve rinore të partive politike. Sipas tyre, zgjedhjet e fundit për këshillat studentorë të universiteteve publike janë bërë në vitin 2011. “Mijëra studentët e mbledhur në shesh janë shembulli demokracisë së drejtpërdrejtë, të cilat ende janë të parealizuara
Intervista:
Myrtaj: Studentët të zhgënjyer pas rikthimit në auditorë, rektorët dhe dekanët mospërfillës ndaj kërkesave
Pedagogu Luan Myrtaj në një intervistë për “Shekullin”, thotë se pas rikthimit në fakultet, studentët ndihen të zhgënjyer jo vetëm prej qeverisë, por edhe drejtuesve të fakulteteve të Politeknikut. Sipas tij, për zgjidhjen e shumë problemeve, studentët i janë drejtuar rektoratit apo dekanateve, duke mos marrë një përgjigje, apo zgjidhje të shumë problemeve që ata kanë.
Myrtaj, si paraqitet situata në fakultetin tuaj pas protestave të studentëve?
Përsa i përket pritshmërive dhe moralit të studentëve, në gjykimin tim vërehet një farë zhgënjimi sesi u trajtua protesta e tyre. Kjo jo vetëm në adresë të qeverisë dhe drejtuesve të fakultetit dhe Politeknikut, por të shoqërisë në përgjithësi.
Duke qenë se një pjesë e kërkesave kanë të bëjnë me universitetin dhe mund të zgjidhen vetëm prej drejtuesve të tij (pa qenë nevoja për angazhimin e organeve ligj-zbatuese), studentët u janë drejtuar me shkresë si Dekanatit dhe Rektoratit.
Nga diskutimet që kam pasur me një pjesë domethënëse të studentëve, më janë shprehur se prej dekanatit kanë marrë një sërë përgjigjesh pa përgjigje. Përgjigjet ishin në trajtën “do të” pa zgjidhje dhe pa afat, ose të trajtës që “kjo problematikë i takon Rektoratit”.
Edhe pse të bindur se një përgjigje e tillë nuk ishte aspak korrekte, studentët i drejtohen Rektoratit për çështjet që Dekanati i kishte adresuar si problematika të Rektoratit. Kjo shkresë protokollohet në dt. 25-01-2019. Prej asaj dite dhe deri më sot nuk ka asnjë përgjigje prej Rektoratit edhe pse një gjë e tillë është kërkuar disa herë nga studentët.
Unë nuk jam i qartë se përse Rektorati iu mohon të drejtën për të pasur një përgjigje serioze dhe në kohë ndaj studentëve që janë ata që bëjnë dhe sakrificat më të mëdha. Për më tepër është detyrim ligjor që studentët (dhe jo vetëm ata) të marrin përgjigje prej institucioneve publike.
Unë i kam lexuar ato kërkesa dhe në to nuk gjej asnjë kërkesë të padrejtë apo abuzuese në favor të studentëve. Në atë shkresë më së shumti kërkohet drejtësi mbi parime të shëndosha dhe morale. Mohimi i përgjigjes flet më shumë seç mund të shpreh unë.
Pedagogët kanë qenë një mbështetje e madhe për studentët, gjatë protestave, dhe kjo ka bërë që nga kryeministri Rama, të cilësoheni si ‘sharlatanë’ dhe ‘përtacë’ të punës, a keni një përgjigje për këtë?
Përsa i përket pedagogëve nuk më rezulton se kanë qenë një mbështetje e madhe për studentët. Kush për probleme personale që mund të ketë me ligjin apo interesa të ngushta, kush për arsye politike janë munduar që ta sabotonin protestën e studentëve.
Ndërkohë, një pjesë tjetër kanë qëndruar indiferentë, indiferentizëm që na ka shoqëruar këto 30 vjet e më parë. Ashtu sikurse ka pasur dhe pedagogë që kanë dalë hapur përkrah studentëve edhe në sheshet e protestës.
Përsa i përket etiketimeve të kryeministrit, ato janë bërë me nominim të përveçëm në takimin me drejtuesit e IAL-ve në muajin dhjetor. Askush në atë sallë nuk reagoi. Përfundimet nxirrini vetë. Por dua të theksoj se në IAL publike ka personel akademik me përgatitje shumë të lartë pedagogjike, që edhe pse në kushte të papërshtatshme, kryejnë me korrektësi procesin e transferimit të dijes në gjeneratën e re.
Falë kësaj trupe akademike, sot studentët tanë shkëlqejnë në universitetet perëndimore ku kryejnë studimet doktorale dhe postdoktorale. Një fakt që kurrsesi s’mund të mohohet. Imagjinoni kapacitetet që mund të gjenerojnë universitetet tona në një shoqëri të drejtë dhe demokratike.
Sipas jush, sa e ka vlerësuar rolin e pedagogut qeveria Rama dhe në çfarë kushtesh janë duke u përballur ata?
Nuk mendoj se ky është një problem i qeverisë Rama. Mos vlerësimi i figurës së pedagogut është problem i çdo qeverie të tranzicionit. Një arsim i lartë i shëndetshëm është oponent i fuqishëm i çdo qeverie. Në mendimin tim, kjo oponencë nuk është pranuar nga asnjë qeveri. (Marre nga Shekulli)