Presidenti i Turpit!
Përsëritës në fyerjet dhe denigrimet ndaj popullatës çame, dikur të njohur si shqiptarët e Greqisë, individi Prokopis Pavlopulos është kthyer tashmë me retorikën e tij irredentiste në një President Turpi për vetë Greqinë.
Jam i bindur se mbarë opinioni shqiptar pret reagimin e drejtë dhe të menjëhershëm të Qeverisë Shqiptare.
Ndaj bindjen se i duhet treguar vendi këtij individi, i cili me retorikën e përsëritur të urrejtjes nuk përfaqëson askënd tjetër, veç vetes in personam!!
Çështja çame është qartësisht e argumentuar këndej dhe andej kufirit, ndaj zgjidhja e drejtë e saj nuk mbetet në vullnetin qejfprishur të ndonjë individi andej apo këndej kufirit.
Përndjekja ndaj shqiptarëve të Greqisë e ka zanafillën e saj që nga 1913, pra jo rastësisht një vit mbas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur.
Më pas, janë të dokumentuara shpërnguljet e detyruara të shqiptarëve në vitet 1923-1924, të njohura ndryshe me termin shkëmbimi i popullatës Greqi – Turqi.
Dhe së fundmi 27 Qershori, si data e njohur nga Parlamenti Shqiptar në përkujtim të viktimave të popullatës së pambrojtur çame mes viteve 1944-1945.
Shteti grek dhe askush tjetër është përgjegjës për dirigjimin e spastrimit etnik nga trojet e tyre të shqiptarëve të Greqisë, çam dhe jo vetëm!
Bashkëpunëtorët e nazizmit janë të identifikuar si kudo në mbarë botën edhe në Greqi, aq më tepër që pasardhësit e tyre janë sot pjesë e Parlamentit të Greqisë.
Ndaj veç fyese, janë dhe qesharake tentativat për të njohur si bashkëpunëtorë të nazizmit pleq, gra dhe fëmijë.
Sa më lartë, dua të garantoj në cilësinë e Kryetarit të Aleancës Popullore, se NE nuk do të rreshtim së përballuri me dinjitet çdo ligësie ndaj bashkëkombësave tanë, duke bërë gjithmonë dallimin mes Traditës së një politike të lajthitur dhe Politikanëve tradicionalisht të lajthosur.
Bashkangjitur letra e hapur drejtuar të nderuarit Presidentit të Greqisë Papulias, 4 Nëntor 2013.
Artur Dojaka
Kryetar
Aleanca Popullore
LETRA DREJTUAR PRESIDENTIT TË GREQISË, PAPULIAS/ 4 Nëntor 2013
I nderuar, z. President Papulias
Në cilësinë e Kryetarit të Aleancës Popullore kam zgjedhur këtë letër të hapur për të komunikuar me Ju. Duke pasur shumë respekt për atë ç’ka ju keni bërë gjatë jetës tuaj publike duke filluar nga angazhimi në luftën kundër pushtuesve nazi – fashiste e deri tek posti i sotëm që e drejtoni me fisnikëri, do të doja t’ ju shprehja një mirëseardhje të ngrohtë.
Por nuk mundem. Nuk mundem unë, por nuk munden as shqiptarë të tjerë të kudondodhur. Një dhimbje e madhe, një e drejtë e mohuar, një dinjitet i nëpërkëmbur në shumë dekada nuk i lë dy vendet dhe dy popujt tanë që të komunikojnë pa paragjykime ndaj njëri-tjetrit.
Andaj, sot ka ardhur dita të flasim hapur.
I nderuar, Z. President
“Çështja Çame” në themel të saj ka genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Ajo e ka zanafillën në vitin 1913 dhe kulmimin në masakrat e kobshme të vitit 1944. Këtë dhimbje që prej brezash ne e mbajmë dhe e trashëgojmë mbi vete nuk mund ta shuajë kush, asnjëherë. Kjo peshë e rëndë do të lehtësohej nga supet tuaja dhe nga zemrat tona, vetëm kur në Greqi të merrni guximin për t’u përballur me të vërtetat e Çështjes Çame, sado rënduese qofshin ato për ju.
E them këtë pasi siç mund ta konstatoni edhe Ju, strategjia e heshtjes e ndjekur nga shteti grek për Çështjen Çame ka qenë e gabuar dhe nuk ka funksionuar. Garanci për këtë jam unë dhe shumë anëtarë të tjerë të komunitetit Çam, brezi i dytë dhe i tretë lindur jashtë Çamërisë. Sado kohë që të kalojë, ajo ç’ndodhi në qershor të 1944 me shqiptarët e Çamërisë është sikur ka ndodhur dje.
Preteksti i Ligjit të Luftës që mban të bllokuar juridikisht pronat e të gjithë shqiptarëve është sa i pabazuar aq edhe qesharak. E them këtë se në këtë ligj cilësohet Shqipëria si vend armik pasi që andej nisi ofensiva fashiste ndaj Greqisë pa marrë parasysh faktin që vetë Shqipëria asokohe ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Për më keq akoma ju keni një ligj lufte me Shqipërinë, ndërkohë që me vetë Italinë që ju sulmoi nuk e keni (!).
Andej nga anët tuaja shumë kohë janë munduar të hedhin baltë mbi njerëzit tanë, si kolaboracionist të pushtuesve nazi – fashistë. Për fat të keq kemi konstatuar që këto sulme kanë qenë të mirëdrejtuara nga struktura shtetërore me qëllimin e vetëm për të mohuar masakrat e kryera ndaj civilëve të pambrojtur, të bashkëkombësve tanë.
Ne asnjëherë nuk i kemi ngatërruar luftëtaret antifashistë grekë me kriminelët e Napoleon Zervës. Megjithëse të mosndaluarit e një krimi ndaj civilëve të pambrojtur nuk nderon asnjë ushtarak. E them këtë pasi këtej nga anët tona burrat e rënë në fushën e betejës i nderojmë, ndërsa gratë, pleqtë, fëmijët e masakruar i vajtojmë. E pra, u bënë dekada që vajtojmë njerëzit tanë dhe kësaj duam t’i japim fund.
- President
Përsa më lart ju drejtohem juve si një luftëtar antifashist, si një burri shteti kurajoz, pse jo si një mik i vjetër i shqiptarëve, që të përballemi bashkarisht me të vërtetën. Mesazhi i historisë së 300 spartanëve që luftuan heroikisht kundër mijëra pushtuesve nuk mund dhe nuk duhet të përbaltet nga e vërteta e 70 viteve më parë ku po afro treqind ishte numri i kriminelëve të Napoleon Zervës që masakruan gra, pleq e fëmijë të pambrojtur. Ne kurrë nuk do reshtim së kërkuari drejtësi.
Uroj që vizita juaj të kalojë ngrohtë, si moti në këto ditë nëntori. Uroj që si dhimbjen dhe gëzimin të kemi besim ta ndajë me njëri – tjetrin. Uroj që heshtja të thyhet dhe e vërteta të na qetësojë.
Aleanca Popullore është një forcë politike progresiste që synon integrimin e shpejtë të Shqipërisë në KE pasi pjesë e asaj familje jemi. AP është pjesë e koalicionit fitues në zgjedhjet e 23 Qeshorit, sot mazhoranca qeverisëse e vendit. Brenda koalicionit tonë në mazhorancë ashtu dhe në koalicionin tjetër të opozitës bëjnë pjesë parti të cilat përfaqësojnë minoritetin grek në Shqipëri. Megjithatë, kemi dhënë kontributet tona në qeverisje dhe në bashkëpunim me njëri- tjetrin.
I nderuar Z. President
Ju e shihni, Shqipëria ka ecur shumë përpara. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe së shpejti pjesë e familjes europiane. Ka ardhur koha që edhe në Greqi të shihet realiteti në sy. Të ndahemi një herë e përgjithmonë nga problemet e së kaluarës, duke u përballur me to, duke i zgjidhur ato.
Ju pershendes me nderim
Artur Dojaka
Kryetar i Aleancës Popullore