Opinion nga Hekuran Vladi, ekspert për ekonominë
Ndiq paranë dhe gjej krimin! Ka vite, që është bërë udhëzuesi kryesor për agjencitë ligjzbatuese të vendeve të zhvilluara.
Hetimet për bandat e krimit të organizuar, apo qeveritarët e korruptuar fillojnë përditë e më shumë nga indiciet, që krijohen nga konstatimet paraprake të standardit të pajustifikuar të jetesës të elementëve të tyre.
Standardi i jetesës është një gjë, që shihet qartë, pa shumë kërkime, apo ndjekje.
Mënyra e veshjes me kostumet e shtrenjta, frekuentimi i restoranteve te shtrenjta, makinat luksoze, apartamentet dhe vilat, orenditë përrallore dhe pikturat e shtrenjta, etj, janë gjëra, që bien në sy të të gjithëve, pak ose shumë.
Por, mjaftojnë së tepërmi për të filluar hetime për poseduesit e tyre.
Këto hetime kanë për qëllim fillestar zgjidhjen e pyetjes: A e justifikon ky person standardin e tij të jetesës me të ardhurat e tij të ligjshme?
E, nëse përgjigja është “Jo”, hetimi vazhdon për të zbuluar se me çfarë merret ky njeri dhe, me shumë gjasa, hetuesit do të zbulojnë një anëtar të një bande droge, apo prostitucioni, një kontrabandist, një qeveritar të korruptuar, etj të këtyre llojeve.
Zakonisht, në raste të tilla, hetimi vazhdon kur standardi i jetesës së personave të këqyrur nuk justifikohet dukshëm me të ardhurat e tyre të ligjshme, pra kur ndryshimi mes parave që shpenzojnë dhe atyre që fitojnë është shumë i madh.
Por, çfarë ndodh nëse edhe pas hetimit nuk zbulohet ndonjë aktivitet kriminal? Më së paku, këta njerëz paguajnë taksat dhe detyrimet e tjera fiskale për diferencën e pashpjeguar të pasurisë.
Deri këtu fola se çfarë ndodh në Evropë e që në Shqipëri duket veç teori. Ama, kemi 29 vjet, që bërtasim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Po merrem në vazhdim vetëm me njërin nga elementet e krimit të organizuar, korrupsionin.
Asokohe, kur mësuam këtë shprehje, ka ndodhë një ngjarje e mrekullueshme.
E veja e diktatorit komunist Hoxha është dënuar për shpenzime të pajustifikuara.
Ishte koha, kur as në Evropë nuk kishte filluar aplikimi i kësaj mase ndaj politikanëve, dmth kur filluam të bërtasim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, në këtë pikë ia kaluam edhe vetë Evropës.
Pra, asokohe u pa, që vejusha e diktatorit kishte kryer shpenzime të pajustifikuara me paratë e buxhetit të shtetit dhe ajo u dënua me burg.
Ajo, që ka ndodhë më vonë, prej asaj kohe e në vazhdim, është vetë katastrofa e të bërit shtet demokratik, ose një vrap në drejtim të kundërt me Evropën.
Le t’i marrim me radhë, në mënyrë kalendarike, duke u kufizuar vetëm tek udhëheqësit kryesorë të vendit, në këto 28 vjet.
Vejusha u lirua nga burgu me amnisti dhe, jo vetëm që nuk i ktheu mbrapsht ato para që kishte marrë në mënyrë korruptive nga arka e shtetit, por u dëmshpërblye për ditët e qëndrimit “të padrejtë” në burg.
Ish-Kryeministri Nano jeton aktualisht mes aeroportesh, nga një kazino në tjetrën dhe as nuk përpiqet të fshihet nga publiku për jetën e shfrenuar luksoze që bën. A e justifikon zotëria këtë standard jetese me të ardhurat e ligjshme në vite?
Ish-Presidenti-Kryeministri Berisha jeton aktualisht mes një apartamenti të stërmadh ,në Tiranë e një vile në bregdet e me një zyrë në vendin më të kushtueshëm në Tiranë. Meqë Z. Berisha e ka miksuar deklarimin e tij, duke përzier fëmijët, për të kam pyetjen: A e justifikojnë jetën luksoze të shfrenuar i biri me të shoqen, pasi edhe tek ata është lehtësisht e dallueshme në reklamën që nusja i bën linjave të veta trupore në rrjetet sociale?
Ish-Kryeministri dhe aktualisht President i Republikës Meta jeton … Në këtë rast bllokohesh, pasi mendoj që edhe sheikët ia kanë zili. E shoqja, Zj. Kryemadhi, që është edhe kryetare e partisë së tretë politike më të madhe në vend, krenohej para ca kohësh me numrin e banjove në njërën nga vilat e saj. A e justifikon familja Meta jetën luksoze me të ardhurat e ligjshme në vite?
Vazhdojmë me Kryeministrin aktual Rama, i cili jeton mes restoranteve luksoze dhe një vile të çuditshme në periferi të Tiranës. A e justifikojnë të ardhurat e tij të ligjshme këtë mënyrë jetese?
Për ta mbyllur me aspirantin për Kryeministër Basha, i cili jeton mes një vile, që e ka ndërtuar majë një pallati në vendin më të kushtueshëm në Tiranë dhe një apartamenti në Hollandë. A e justifikojnë të ardhurat e ligjshme të tij këtë mënyrë jetese?
Jashtë radhe do të përmend vetëm ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore Fullani, që është “pika ime e dobët”, i cili e kishte kuzhinën tek restoranti më i shtrenjtë në Tiranë, dhomën e gjumit në zyrë, banjon në vilën e stërmadhe në Farkë dhe i fshinte djersët të birit me kartëmonedhën më të madhe evropiane. Më dhimbsen gishtat për të shkruar të njëjtën pyetje, që bëra më lart, edhe për këtë personazh…
Gjithsesi, pjesës dërmuese të atyre, që kanë lexuar deri këtu, pyetjet e mia iu duken pyetje retorike.
Kjo do të thotë se perceptimi publik për korrupsionin është shumë i lartë, shumë më i lartë edhe se ai që raportohet nga organizata ndërkombëtare, që merren me studimin e korrupsionit nëpër botë.
Por, kjo nuk mjafton.
Duhen përgjigje ligjore.
Dhe, pyetjes se kur mund të kthejmë kursin e drejtë kah Europa, do t’i përgjigjem thjesht : Kur të fillojmë të kërkojmë paratë tona në xhepat e atyre, që na kanë drejtuar, na drejtojnë, apo që duan të na drejtojnë.